Hatlije Tafaj, shoqja e Nexhmije Hoxhës, u torturua deri sa u çmend dhe ndërroi jetë në duart e xhelatëve të Sigurimit të Shtetit. Dëshmia e sigurimsit: Dhëmbët e para i kishte të thyera, nga që nuk ishte në mënt, kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira
Dy faksimile nga dokumenti i nënshkruar nga Anastas Dushku efektiv i seksionit të Sigurimit, flasin për torturat deri në vdekje të vajzës 20-vjeçare, Hatlije Tafaj. Një efektiv i sigurimit të shtetit që kishte qënë pjesë e grupit toruturues, dëshmon mizorinë ndaj Hatlijes.
Janë tortura që shkojnë përtej imagjinatës më ekstreme të kriminelit më të egër. E torturuan deri sa u çmend e vdiq në duart e xhelatëve të Sigurimit të Shtetit. Dëshmi rrëqethëse vijnë nga sigurimsi që kishte asistuar në torturat që iu bënë Hatlijes. Ajo ishte komuniste, kishte qënë partizane dhe shoqe shumë e afërt e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha.
Letra dëshmi e ish-sigurimsit
“I nënshkruari N/Toger Anastas Dushku, anëtar partie prej datës 28-VIII-44, efektiv i Seks. Sigurimit Ministris Mbr. Kombëtare, parashtroj atij Komiteti Central, sa më poshtë:
…nga muaj Prill-Maj 1945, në ish Batalionin e IV të Brigadës I M.P. (ish Kuestura e vjetër, në rrugën e Barikadave), silleshin të burgosun prej Drejtorisë së Sigurimit dhe mbaheshin në birucat, të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi. Atëhere kanë sjellë aty të arrestuar dhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte anëtare Partie. Vinin nga Drejt. e Sigurimit çdo natë oficera dhe e mernin në pyetje duke e torturuar gjithë natën. Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukesh se kjo nuk tregonte gjë. Torturat vazhdonin gjithnjë, deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje. Nga jashtë dhomës së pyetjeve digjonja që ajo të përsërisë dendur emnin e Partisë.
E shpërfytyruar, ajo nuk dukej më një vajzë 18-20 vjeçare
Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme. Atëhere më ishte dhënë rasti ta shoh. Ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje ta përshkruaj këtu në letër. Dhëmbët e para i kishte të thyera, pastaj nga që nuk ishte në mënt, kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk munt t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Me këtë pamje ajo i përgjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare.
Por oficerat e Sigurimit vazhdonin ta mernin në pyetje edhe në këtë gjendje.
Me sa mësova ajo nuk kish treguar gjë me gjithë torturat barbare që i bënin, kështu që ata u siguruan që ajo ishte e pafajshme.
Por në gjendjen që ajo ishte nuk mundeshe që ta lironin, prandaj e hoqnë nga biruca, ku e kishin dhe e vunë në një dhomë të mirë me ajër dhe diell në katin e sipërm, e ushqenin tashi mirë, me qëllim që ajo të përmirësoheshe dhe pastaj t’a lironin. Por ajo vazhdonte të mos ishte në vehte. Dhe një ditë në atë gjendje anormaliteti që ishte u hodh nga dritarja e dhomës së saj 8-10 metra lart, theu këmbën dhe dorën, dhe në këtë gjendje u çua në spital….
Mbas disa javësh mësova që i kishin prerë në spital një dorë dhe një këmbë dhe së fundi vdiq e çmendur.
Emnin e kësaj shoqeje, e kësaj antareje Partie që kaqë tmerësisht u torturua, nuk munda t’a mësoj, por për këtë dhe për hollësira të tjera reth këtij krimi të pyetyet kapiten i Irë Sh. Skënderi, tash efektiv pranë Komandës Divizjonit Mbrojtjes Popullit, i cili n’atë kohë ish Zv. Komisar i Batalionit IV të Brigadës I M.P. dhe ka marë pjesë në torturimin e saj.”/kujto.al
———————-
Lexo edhe:
JOUMANA HADDAD: GRUAJA QË PRET…
ObserverKult