Nga Afrim Imaj
Historia e burgjeve të regjimit komunist ka regjistruar ndër të tjera dy revolta tronditëse me karakter thellësisht antikomunist.
E para, ajo e kampit të Spaçit, në vitin 1973, dhe tjetra e Qafës së Barit në maj të vitit 1984.
Përtej mobilizimit maksimal për t’i shtypur me dhunë e hekur, policia sekrete, ka bërë ç’është e mundur për t’ia fshehur opinionit të vërtetën e tyre.
Të vlerësuara si ngjarje të jashtëzakonshme, me to është operuar fund e krye me procedura sekrete. Se çfarë ndodhi në Spaç dhe Qafë-Bari në ditët e revoltave, është zbardhur shumë më vonë.
Hapja e burgjeve politike do të hapte përfundimisht dhe historinë e revoltave të panjohura, me protagonist kundërshtarët politik të regjimit.
Kronikën e shpërthimeve të përgjakshme, do ta zbulonin së pari të mbijetuarit me dëshmitë e tyre autentike. Pastaj, zhvillimet e reja do të nxirrnin nga “burgu” i përjetshëm edhe dosjet e zeza, ku sigurimi i shtetit kishte koleksionuar revoltat tronditëse.
Gazeta “Panorama” ka siguruar një raport të komandës së burgut të Qafë Barit, ku përshkruhen rrethanat në të cilat shpërtheu dhe u shtyp revolta e të dënuarve politikë. Janë regjistruar në të momentet kryesore dhe emrat e protagonistëve të protestës.
“Ngjarja e datës 22 maj 1984 në repartin tonë, nënvizohet në këtë dokument, tregoi edhe një herë se armiku nuk bëhet kurrë mik, prandaj i treguam vendin”.
Ndërkaq, artikuluesit e tij, teksa raportojnë për autoritetet e larta të shtetit, nuk harrojnë t’i garantojnë se ngjarje të tilla nuk kanë për t’u përsëritur.
Sidoqoftë, ndodhia e Qafës së Barit nuk kishte si mos ta cenonte krenarinë e këtij institucioni që deri në atë kohë mbahej më i sigurt ndër burgjet e tjerë të sigurisë së lartë.
Po si e ka dokumentuar komanda e burgut revoltën e 22 majit ’84 në raportin e adresuar për kreun e Ministrisë së Brendshme, Hekuran Isai?
Raporti sekret: Revolta
Dokumenti sekret “Mbi ngjarjen e ndodhur në datën 22 maj 1984 në regjimin e të dënuarve të repartit 311 Qafë Bari”, mban datën 27 maj 1984 dhe është nënshkruar nga drejtuesit e lartë të burgut.
Plotë pesë ditë pas revoltës tronditëse, autoritet e repartit Nr. 311, rigrenë versionin zyrtar të ngjarjes. Padyshim krerët e Policisë Sekrete, por jo vetëm ata, kanë qenë në kontakt çast pas çasti me atë që ndodhte në burgun e Qafës së Barit.
Raporti i datës 27 maj saktësonte përfundimisht rrethanat e revoltës pas analizave të hollësishme të bëra në të gjitha hallkat e institucionit të riedukimit. Pjesa kryesore e tij fokusohej në përshkrimin e ngjarjes, duke bërë një përmbledhje kronologjike të saj.
Gjithçka zbulohet në dokument, nis me njoftimin e orës 07:30, datë 22.05.1984, sipas të cilit dy të burgosur të turnit të tretë, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla, nuk kishin realizuar normën në galeri dhe sipas rregullores së kampit duhej të riktheheshin me turnin në vijim.
Kundërshtimi i prerë i dy të burgosurve të tjerë, Sokol Sokoli e Sokol Progri, për t’i kthyer mbrapsht dy bashkëvuajtësit e tyre që sa kishin përfunduar turnin e tretë, u bë shkak i përplasjes së pazakontë.
Mjaftoi kaq dhe menjëherë policët e shërbimit lajmëruan oficerin e rojës. Vetëm në pak çaste mbërritën aty 5 policë me shkopinj gome.
Përballë tyre këtë radhë nuk ishin vetëm dy të burgosurit që refuzojnë për t’u rifutur në galeri, por një masë e madhe të dënuarish që protestojnë energjikisht në mbrojtje të shokëve të tyre.
Reagimi është i menjëhershëm. Ndërhyrja e forcave të policisë për të çuar në dhomat e izolimit të pabindurit, ndezi protestën e pjesës tjetër.
Sakaq, të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovsi, Lush Bushgjoka e Kostandin Gjordeni, aty për aty vendosen në pozicione mbrojtëse dhe fillojnë t’u bëjnë thirrje policëve për të lëshuar shokët e tyre.
Shpërfillja e palës tjetër ndaj këtij apeli e bëri dhe më agresive turmën, e cila tanimë e papërmbajtur filloi të gjuajë me gurë e tulla mbi forcat e Policisë.
Në raport shprehet se përballë kësaj gjendjeje të nderë, oficeri i rojës vendosi anulimin e urdhrit dhe marrjen e masave për stabilizimin e situatës.
Komandanti i togës u bëri thirrje të dënuarve që të futeshin në mensë për të bërë apelin.
Në vazhdim, dokumenti sekret përshkruan tensionin e krijuar aty pas thirrjes së oficerit të shërbimit, për të nxjerrë jashtë të dënuarit që kishin iniciuar përplasjen. Kostandin Gjordeni ishte i pari që refuzoi t’i bindet urdhrit.
Të njëjtën gjë bëri dhe i dënuari tjetër, Sokol Sokoli.
Kundërshtimi i tyre i dha zemër turmës dhe sakaq një pjesë e saj shpërtheu derën e mensës dhe doli jashtë.
Në pak sekonda, gati të tërë të dënuarit u grumbulluan te sheshi dhe filluan të protestojnë energjikisht.
U njoftua menjëherë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Pukës dhe komandanti i repartit që ishte me shërbim në Fushë – Arrëz. Nga çasti në çast, dueli bëhej më agresiv.
Të dënuarit shpërthejnë mbi forcat e sigurisë dhe me çfarë të mundin qëllojnë mbi ta. Tensionit në rritje iu shtuan krismat e armëve. Ushtarët e shërbimit hapën zjarr të pandërprerë. Për një moment policët tërheqin me forcë për në birucë Kostandin Gjordeni.
Të burgosurit e tjerë shpërthejnë dhe më vrullshëm mbi personelin e armatosur. Për të zbutur gjendjen, urdhërohet lirimi i Gjordenit, por tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit.
Në panik e sipër, rojet fillojnë të tërhiqen nën goditjen e gurëve dhe tullave, me të cilat i sulmojnë të dënuarit. Përforcimet e ardhura rishtazi hapin zjarr nga larg.
Plumbat e parë ranë mbi supet e Kostandin Gjordenit.
Të tjerë të dënuar u plagosën e përgjakën. Kaosi vazhdoi disa orë. Mbërritja me helikopter nga Tirana e zëvendësministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale, e futi përballjen në një hulli të re.
Me urdhrin e tyre u bë arrestimi i organizatorëve të protestës, të cilët u izoluan në Degën e Brendshme të Pukës. Pjesa tjetër u fut në mensë me forcën e shkopinjve të gomës dhe sulmit me armët e zjarrit…
Komanda: Arsyet e protestës
“Protesta e të dënuarve të Qafës së Barit ka lidhje të drejtpërdrejtë me zbulimin dhe goditjen nga Partia dhe shoku Enver të grupit armiqësor të poliagjentit Mehmet Shehu e bandës së tij, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu”.
Jo rastësisht në raportin e autoriteteve të burgut 311, argumenti i parë për shkaqet e “ngjarjes së rëndë”, lidhej me sfondin politik të kohës.
Shkaku tjetër, sipas dokumentit sekret të datës 27 maj 1984, ishte “shtimi i veprimtarisë armiqësore në radhët e të dënuarve, kryesisht nga rrethet e Shkodrës dhe të Tropojës”.
Ndërkaq, në raportin e zyrtarëve të repartit 311, përmendej si shtysë e artikulimit të pakënaqësive “norma e ulët e ushqimit dhe trajtimi jo si duhet nga personeli” etj.
Po kështu, eprorët e Qafës së Barit, të tronditur nga ngjarja e papritur, gjejnë rastin të reflektojnë për “punën jo të efektshme të këshillit të edukimit të të dënuarve”, e cila sipas tyre ka ndikuar sadopak në situatën e jashtëzakonshme të datës 22 maj 84.
Kaq dhe asgjë tjetër për arsyet e protestës.
Në përfundim, dokumenti sekret i rikthehet përsëri një argumenti politik “Ngjarja e datës 22 maj 1984 në repartin tonë, shkruhet në të, tregoi edhe njëherë se armiku nuk bëhet kurrë mik.
E ai ashtu siç ka thënë partia e shoku Enver, gjithmonë është përpjekur e do përpiqet të pengojë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, por nga ana tjetër, kjo ngjarje tregoi edhe njëherë gatishmërinë e vigjilencën dhe urrejtjen klasore të efektivit tonë ndaj armikut të klasës”.
Ministria: Masat e reflektimit
Në dosjen e revoltës së Qafës së Barit, njëherazi me raportin për ngjarjen, janë dhe dokumentet e tjera, që kanë të bëjnë me masat e marra për të parandaluar situata të tilla.
Në një program pune të hartuar pas ngjarjes nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së të Brendshme dhe të miratuar nga kreu i dikasterit, Hekuran Isai, parashikoheshin një sërë masash për forcimin e regjimit të sigurisë në tërë sistemin e burgjeve dhe në mënyrë të veçantë në ato të të dënuarve politikë.
Për vetë rëndësinë e ngjarjes së Qafës së Barit, në dokumentin me firmën e ministrit të Brendshëm bashkëlidhej lista me emrat e të dënuarve, të etiketuar si organizatorë të protestës së 22 majit 84, të cilët i kishin kaluar për gjykim organeve të drejtësisë.
Në këtë praktikë zyrtare të panjohur, krerët e policisë veçojnë emrat e tre të dënuarve të Qafës së Barit, pjesëmarrës në revoltë, të cilët duke reflektuar shfaqën “gatishmëri të lartë në dhënien e shpjegimeve të hollësishme mbi ngjarjen”(!).
Gjithsesi, dokumenti i përpiluar nga Agron Tafa, ish-numri Dy i dikasterit të sigurimit, nuk kufizohej vetëm në problematikën e kampit të Qafës së Barit.
Krerët e lartë të Policisë Sekrete e vlerësonin revoltën e 22 majit 84, si kambanë alarmi për ta riparë me themel tërësinë e regjimit të sigurisë në kampet e riedukimit.
Fill pas analizës së revoltës së Qafës së Barit, ministri Hekuran Isai organizoi një mbledhje urgjente me funksionarët e lartë të ministrisë, ku u shqyrtua me përgjegjësi forcimi i diktaturës në tërë sistemin e burgjeve.
Ndërkaq, reflektimi ndaj kësaj çështje, solli dhe një rokadë në radhët e drejtuesve të kampeve të riedukimit, siç quheshin në atë kohë vendet e dënimit…
Lista e të ridenuarëve
Në dosjen e Ministrisë së Brendshme për revoltën e Qafës së Barit, me siglën “Sekret”, ndodhet dhe lista me emrat e 12 të burgosurve që u ridënuan menjëherë pas saj.
Renditja fillon me emrin e Sokol Sokolit, njërit prej më të rinjve në moshë dhe vazhdon me Sokol Progrin, Tom Ndojën, Lush Bushgjokën, Haxhi Baçinovskin, Vllasi Koçin, Kostandin Gjordenin, Barjam Vuthin, Martin Lekën, Lazër Shkëmbin, Hysen Tabakun dhe Ndue Pishën.
Komanda e burgut pas asaj që ndodhi mëngjesin e 22 majit 84, ka bërë seleksionimin e organizatorëve dhe njëherazi me identitet ka formuluar një aktakuzë të përgjithshme për ta dhe për secilin veç e veç.
Sipas saj, 12 të dënuarit “në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e terrorit kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe në veçanti “Sokol Progri, Lush Bashgjoka dhe Ndue Pisha kanë konsumuar krimin e tradhtisë ndaj atdheut, duke tentuar për t’u arratisur”.
Nga mënyra si është operuar më tej me gjykimin e tyre në Pukë dhe në Gjykatën e Lartë (Kolegji penal) bie në sy e njëjta aktakuzë për të gjithë, me përjashtim të ndonjërit që e përjashtoi veten duke pranuar bashkëpunimin me organet e sigurimit..
Kronika e një kryengritje të paralajmëruar
Revolta në burgun e Qafë Barit, ku vuanin dënime të rënda rreth 500 të burgosur politikë nisi mëngjesin e 22 majit të vitit 1984, por ajo ishte paralajmëruar më herët.
Persekutimi barbar, trajtimet çnjerëzore, orët e tejzgjatura të punës së detyruar, ushqimi i pamjaftueshëm dhe torturat fizike ishin arsyet kryesore të rebelimit masiv të të burgosurve politikë.
Më shumë se për kushtet e jetesës revolta ishte një kryengritje kundër regjimit. Nuk ishte e rastit që të burgosurit pasi morën me forcë kontrollin e plotë të burgut, shpërthyen me thirrjet për një Shqipëri të lirë e demokratike.
Për asnjë moment, autoritetet nuk morën mundimin të negocionin me të rebeluarit, por atë e shtypën me dhunë, madje dhe me armët e zjarrit. Ngjarja e pazakontë për burgun e tmerrshëm fillimisht nisi në formë rezistence kundër punës së detyruar.
Të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën dhe nuk pranonin urdhrin për t’u kthyer në galeri.
Ndërkaq, dy të tjerë, Sokol Sokoli dhe Sokol Progri, porositën shokët të mos shkonin në galeri. Kjo ishte shkëndija e përballjes. Policët u përpoqën të marrin situatën në kontroll.
Urdhëruan rreshtimin e të dënuarve në mensë. Aty do bëhej apeli. Pas apelit të dënuarve do t’u komunikohej urdhri kategorik: Ata që refuzonin të ktheheshin në punë, do dërgoheshin në birucë.
Kaq mjaftoi për të ndezur turmën që tashmë jo vetëm ishte totalisht e pabindur, por edhe shumë agresivë ndaj forcave të sigurisë. Sheshi shpërtheu i gjithë nga thirrjet “Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori!”.
Sakaq, kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Përballja zgjati disa orë. Kryengritësit vetëm kur dëgjuan breshëritë e armëve që drejtoheshin ndaj tyre filluan të tërhiqen.
Nga ky çast autoritetet filluan gjuetinë e shtrigave dhe me një proces të shpejtë bënë ridënimin e organizatorëve të revoltës. Dy ndër ta u dënuan me vdekje, ndërsa shumë të tjerë me burgime të gjata.
Dënimi i protagonistëve të revoltës:
Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim
Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim
Sokol Progri, me 25 vjet burg
Vllasi Koçi, me 25 vjet burg
Martin Leka, me 16 vjet burg
Haxhi Baçinozi, me 21 vjet burg
Bajram Vuthi, me 15 vjet burg
Ndue Pisha, me 25 vjet burg
Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg
Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg
Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg
Hysen Tabaku, me 11 vjet burg./panorama
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA BUJAR SALIHU: LEGJENDË PËR VASHËN
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Bujar Salihu: