Vendosja e regjimit komunist u shoqërua me konfiskimin jo vetëm të pasurive të tundshme dhe të patundshme të atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë, por dhe me “përvetësimin” e bibliotekave personale, që individë të njohur kishin krijuar me shumë mund e sakrifica për dekada e shekuj me radhë.
Skuadra të ngritura anembanë vendit ku merrnin pjesë punonjës të Sigurimit të Shtetit, specialistë të dërguar enkas nga Tirana (nga Ministria e Arsimit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, etj) sekuestruan dhe hartuan inventarë të posaçëm për bibliotekat e personave të arrestuar. Shumica e këtyre librave, duke shfrytëzuar raportet e shkëlqyera që ekzistonin me Jugosllavinë përfunduan në Beograd, disa në Bibliotekën Kombëtare dhe pjesa tjetër në shtëpitë e atyre që morën pjesë në këtë fushatë.
Për fat të keq, të njëjtin fat patën edhe shumë dokumente me vlerë për historinë tonë kombëtare. Fillimisht dokumentacioni i shtetit shqiptar u grumbullua pa asnjë kriter shkencor dhe administrativ për tu kontrolluar nga organet e Ministrisë së Brendshme, prokuroria dhe gjykatat. Kjo në funksion të luftës politike për arrestimin edhe dënimin e kundërshtarëve të regjimit komunist. Sipas kujtimeve të shefit teknik të arkivit, Injac Zamputit, materialet arkivore të institucioneve të ndryshme mbasi ishin shfrytëzuar nga hetuesia e gjykatave “popullore”, duheshin kërkuar mes ndyrësirave të bodrumeve, që më parë kishin shërbyer për kafshët. “Fondet e kalbëzueme i kemi nxjerrë me lopata dhe i kemi transportue me karro dore e, pastaj, kemi nisë spastrimin e tyre”.
Ai shkruan se dy a tre shtëpi në qytetin e Durrësit ishin plot e përplot me shkresat e Ministrisë së Brendshme dhe të Luogotenencës (Mëkëmbësisë së Përgjithshme). Ato ishin grumbulluar aty gjatë marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë, gjoja për t`i çuar në fabrikat e letrës, por në të vërtetë,-thekson ai,-për të pasuruar arkivat e shërbimit sekret.
Në fakt, ishte e vërtetë se dokumentet arkivore fillimisht vlerësoheshin sipas vlerës operative që ato kishin për Sigurimin e Shtetit. Por nuk mund të mohohet fakti se ato shpëtuan për një fije pa u dërguar në Beograd, falë prishjes së Stalinit me Titon në vitin 1948 dhe ndikimit që ky raport pati në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
Sidoqoftë biblioteka të tëra dhe kushedi sa dokumenta përfunduan drejt Jugosllavisë gjatë “muajve të mjaltit” 1944-1948/Hasan Bello/Shekulli