Besiana Kadare dhe Elez Biberaj kanë marrë dy lajme të mira. E para është zgjedhur zëvendëspresidente e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në sesionin e 75 të saj, ndërsa Elez Biberaj është komanduar si drejtor i Përgjithsëm i Zërit të Amerikës, pas dorëheqjes së drejtoreshës së mëparshme, që pasoi sulmet e administratës së presidentit Trump, ndaj radios shtetërore amerikane.
Nga Mero Baze
Besiana Kadare dhe Elez Biberaj kanë marrë dy lajme të mira. E para është zgjedhur zëvendëspresidente e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në sesionin e 75 të saj, ndërsa Elez Biberaj është komanduar si drejtor i Përgjithsëm i Zërit të Amerikës, pas dorëheqjes së drejtoreshës së mëparshme, që pasoi sulmet e administratës së presidentit Trump, ndaj radios shtetërore amerikane.
Të dy janë emra që i bëjnë nder botës shqiptare, por jo të dy i nderon reagimi i botës shqiptare, sidomos botës politike.
Marrja e postit të zëvendëspresidentes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, natyrisht që është një nder për pozicionin shtetëror të Shqipërisë, dhe për Besianën, që e bën më të plotë këtë vlerësim. Dhe formalisht atë duhet ta përshëndesin gjithë faktorët politik në Shqipëri, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një arritje të Besianës, por për një karrige që mban stemën zyrtare të Shqipërisë në OKB.
Në fakt, e vetmja që e ka uruar, është ambasadorja Yuri Kim. Natyrisht Qeveria e ka njoftuar me gëzim, ndërsa opozita me sa duket quan meritë faktin që nuk e ka sulmuar.
Me sa duket, Lulzim Bashës nuk i ikën inati që Ismail Kadareja i kërkoi të tërhiqej nga fitorja e vjedhur e vitit 2011 në Tiranë dhe e lidh postin zyrtar të Shqipërisë me mbajtësen e këtij posti, Besiana Kadare.
Nga ana tjetër, i njëjti njeri uron Elez Biberajn për komandimin si drejtor i Përgjithshëm i Zërit të Amerikës, të cilin mund ta uronte fare mirë privatisht.
Biberaj është një gazetar veteran, aq i plotësuar dhe aq profesionist, sa urimet politike nga Partia Demokratike vetëm sa e vënë në siklet dhe i prishin punë. Të mos them pastaj, shpërndarjet e fotove nga Ilir Meta.
Ai është në atë pozicion falë punës së tij dhe profesionalizmit të tij, dhe jo shtetit shqiptar. Shteti shqiptar të vetmen “meritë” që ka ndaj tij, është që e ka detyruar familjen e tij të arratiset dhe Biberaj të rritet e shkollohet në SHBA. Meritat e tjera i ka personale.
Ai është vërtet shumë i lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe për shkak të drejtimit afatgjatë të seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, por kjo nuk e ka penguar atë të ruajë distancën profesionale me ndjeshmëritë e tij politike dhe njerëzore.
Nxitimi i Bashës dhe Metës për të uruar Biberajn zyrtarisht nga pozicionet politike që kanë, natyrisht që e vë atë në siklet dhe më shumë i hap telashe, sa sa e nderon.
Të njëjtët mund të uronin Besianën publikisht dhe Biberajn privatisht, pasi Besiana ka avancuar emrin e shtetit shqiptar në OKB, ndërsa Biberaj ka avancuar karrierën e tij si gazetar amerikan. Kjo heshtja ndaj pozicionit të Shqipërisë në OKB dhe lavdërimi politik për Biberajn, është e vetmja mënyrë se si të fyesh të dy njerëzit e suksesshëm të botës shqiptare në SHBA. Natyrisht, jo vetëm nga budallallëku.