Si u bë “mollë sheri” “lista e Ministrisë së Arsimit me autorë të Sigurimit”?

Lista paraprake me 500 titujt e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë për në bibliotekat e shkollave, është kthyer në mollë sherri.

Botuesit kritikojnë për autorët e implikuar me ish-Sigurimin që janë përfshirë, ndërsa Ministria e Arsimit pretendon se kjo listë është konsultuar me grupet e interesit.

Këto 500 tituj të renditur në listën paraprake të titujve rekomandues për bibliotekat e shkollave për këtë vit, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, janë kthyer në ‘mollë sherri’.

Ndër kontestuesit e parë të saj, ka qenë Instituti i Historisë, përmes drejtuesit të saj, studiuesit Afrim Krasniqit, i cili thekson se kjo listë nuk është konsultuar me asnjë institucion kërkimor dhe shkencor dhe se në të, siç mund të verifikohet lehtësisht, nuk ka asnjë botim nga institutet albanologjike. Më tej ai ngre shqetësimin se ‘mungesat e mëdha e profesionale janë zëvendësuar kryesisht me autorë amatorë të pacertifikuar nga asnjë bord, institut shkencor apo recensues në botimet e tyre’.

Akuzat e drejtuesit të Institutit të Historisë për mungesë transparence dhe grupime të dyshimta të përfshira në përzgjedhjen e titujve, MAS, i ka hedhur poshtë përmes një deklarate te Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, njëherësh drejtues i bordit për listën rekomanduese të titujve për bibliotekat e shkollave, Shkëlqim Allkaj.

Në të, ai thekson se në proces janë marrë parasysh propozimet me 750 tituj të rrjeteve profesionale të mësuesve, 930 tituj të rekomanduar nga Shoqata e Botuesve Shqiptare dhe 230 të propozuar nga Shoqata e Botuesve të Teksteve Shkollore.

Sipas tij, përzgjedhja paraprake është bërë nga një bord i ngritur, anëtarët e të cilit ende nuk na janë bërë të ditur nga Ministria e Arsimit, pavarësisht kërkesës për informacion të Report tv.

Ndërkaq thekson më tej se lista është e hapur për konsultim. Nga ana tjetër Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e drejtuar nga botuesi Petrit Ymeri, është shprehur në një reagim, se dy takimet konsultative të mbajtura me MAS  dhe kërkesa që i ka drejtuar për listën e titujve të bibliotekave, parë titujt e publikuar, nuk kanë rezultuar efektive.

Ndërsa vë theksin tek ‘anonimiteti’ i ruajtur i bordit, nënvizon disa nga problematikat, që lidhen me: Tituj të vjetër që nuk ekzistojnë të mbartura nga një listë te tjetra; botime të shtëpive botuese që nuk ekzistojnë; tituj librash në anglisht nga botues të huaj dhe seri librash për fëmijë me 20-30 tituj, vepra të mira të letërsisë shqipe që mungojnë. Siç thekson më tej, një përzgjedhje e tillë me tituj me seri ka sjellë që disa shtëpi botuese që në këtë mënyrë të kenë edhe më shumë se 60, 70 apo 90 tituj librash nga sa përmenden në listë.

Ymeri e konsideron këtë procedurë si nëpërkëmbje të dinjitetit të botuesve cilësorë dhe vë në pikëpyetje nëse këta të fundit duhet të vijojnë të jenë pjesë e këtij procesi.

Janë disa shtëpi botuese që ndihen thuajse të papërfillura nga lista me 500 tituj. Ndër botuesit që kanë reaguar është edhe Ylli Molla, i cili kritikon përfshirjen e autorëve të implikuar në ish-Sigurimin e Shtetit, duke përmendur konkretisht Pilo Shanton dhe Neshat Tozajn.

Por, jo vetëm në Shqipëri, kritika vijnë edhe nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, që thonë se ndër titujt e përzgjedhur nga shtëpitë e tyre botuese janë vetëm 0,4 për qind, ose dy tituj./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

RIKTHEHET BIBLIOTEKA E VJETËR E TIRANËS, EDI RAMA: NXJERRIM NGA ERRËSIRA LIBRAT E RRALLË

Kryeministri Rama ka vizituar qendrën e të librit “Sotir Kolea”, dikur e njohur si biblioteka e vjetër e kryeqytetit.

Qendra e librit e cila pas dëmtimeve nga tërmeti, është rikthyer në shërbim të qytetarëve duke ofruar libra të rrallë dhe salla leximi.

Kjo qendër ka në brendinë e saj, sallat e leximit mbi historinë dhe kulturën franceze, italiane, angleze dhe franceze.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult