Sibel Halimi: Chopin Piano Fest Prishtina, një prej ngjarjeve më të dashura kulturore në kryeqytet

Është hapur edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar “Chopin Piano Fest Prishtina”, duke sjellë emocione të veçanta për adhuruesit e muzikës klasike në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës.

Ky edicion u hap me magjinë e tingujve të pianos nga duart e pianistes së njohur polake, Maria Ludwika Gabryś-Heyke.

E pranishme në hapjen e edicionit të sivjetmë ishte edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

Sipas saj, ky edicion i festivalit përkon bukur me Ditën e Evropës, “duke na kujtuar se muzika është një gjuhë e përbashkët që na afron si qytetarë të së njëjtës hapësirë kulturore.”

“Ky festival tashmë është bërë një prej ngjarjeve më të dashura kulturore në kryeqytet, dhe këtë magji të përvitshme nuk do ta kishim pa përkushtimin dhe vizionin e ikonave të tij, Lejla Pula dhe Besa Luzha, dy emra që janë shndërruar në shtylla të këtij rrëfimi muzikor që gjithnjë lartëson Prishtinën në hartën kulturore evropiane. Drejtoria për Kulturë e Kryeqytetit është dhe do të mbetet përkrahëse e palëkundur e ngjarjeve që sjellin kaq shumë shpirt dhe bukuri në jetën e qytetit tonë”, pohoi Halimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

SIBEL HALIMI: CIKËL HISTORIE