Sibel Halimi: Vetes

Më mbuloni sikur të jem nga argjila
Vepër e mallkimit tuaj
Sikur të jem pëllëmba e fundit
ku thundra hipur ka mbi barkun tim
E unë marrë frymë dhe jetë tjetrit i jap

Më mbuloni, e botës frikë i shtini
mbyllni dritaret e epshit tim
lejoni që shikimi im të jetë vetëm juaji
sisët e mia le të takojnë vetëm ty
që i deshe gjithnjë
edhe atëherë kur ma mbulove dëshirën
me mushama

Mi mbuloni fërkemet në rrugën e vetmisë
E lumturia ime le të mbetet e juaja, s`ka dert
Po ua fal, se kiameti s`bëhet

Më mbuloni, me penel të zi m`i nxini qerpikët
Që dita të më duket natë, e nata ditë
Më mbuloni, që t`i vrasë fjalët
Se nata dëshmitarë nuk ka
E krim nuk është veç me vra

Më mbuloni, lirinë t`ua fal
E kënaquni kur kuptimin e jetës nën vello ta zbuloni
Kur turpi t`u dëftohet në të qarat e para të fëmijës
Trishtohuni!

Më mbuloni, por, ti njeri, jo
Le t`i falem dheut
Përjetësisht!