Në “Open Art Gallery” në Prishtinë po qëndron e hapur ekspozita e piktorit, Naim Spahiu e titulluar “Pas një muri ka mure të tjera”. Kjo ekspozitë u vizitua së fundi nga drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
Sipas saj, Naim Spahiu, përmes veprave të tij, na bën të mendojmë për ndikimin e kohës në përvojën njerëzore, për muret që ndërtojmë dhe për ato që i thyejmë.
“‘Pas një muri ka mure të tjera’ të piktorit të mirënjohur Naim Spahiu, mund të theksohet rëndësia e kësaj ngjarjeje për artin bashkëkohor shqiptar dhe për komunitetin në tërësi.
Pikturat e Naimit, me një thellësi dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme, na fton të reflektojmë mbi kufijtë që ndërtojmë në jetën tonë – jo vetëm fizikë, por edhe mendor dhe emocional”, tha Halimi në postimin në llogarinë e saj në Facebook.
“Ekspozita në “Open Art Gallery”, është më shumë se një koleksion i pikturave; është një dialog i gjallë me të tashmen dhe të kaluarën tonë, me përvojat që na formësojnë dhe na shpalosin në dritën e përvojave të reja”.
Halimi tregoi se me Naimin diskutuan edhe për rëndësinë e ofrimit të artit në lagje të kryeqytetit si një dialog i hapur dhe i sinqertë me komunitetin, i cili sjell në mendje se si arti nuk është vetëm një përjetim estetik, por edhe një mjet për të ndërtuar ura midis individëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
Punëtori me artistë të rinj
Sibel Halimi gjatë ditës së djeshme ishte edhe pjesë e një punëtorie të jashtëzakonshme me artistët e rinj, të udhëhequr nga profesoresha e artit, Majlinda Kelmendi
“Kjo punëtori shërben si një platformë thelbësore për artistët e rinj, ku ata/ato mund të ndajnë idetë dhe përvojat e tyre, duke u përqendruar në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të tyre artistike.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet artistëve dhe komuniteteve të ndryshme. Duke nxitur dialogun ndërkulturor dhe zhvillimin e artit bashkëkohor në Kosovë, ne po kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe të hapur”.
Halimi u shpreh e lumtur që Drejtoria për Kulturë mbështet iniciativa të tilla që shfrytëzojnë artin si një mjet për të arritur komunikimin ndërkulturor.
“Kjo mbështetje është jetike për të siguruar që artistët tanë të rinj të kenë mundësitë e duhura për të zhvilluar talentin e tyre dhe për të kontribuar në skenën kulturore të kryeqytetit tonë”, tha drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
ObserverKult
Lexo edhe: