Silvana Kola-Loka: Ajo çfarë nuk na vret, NUK na bën më të fortë!

Silvana Kola-Loka

Nga: Silvana Kola-Loka


E lexoj të postuar dhe të ripostuar citatin me përmbajtjen e kundërt nga sa sipër (që mendoj se supozohet të shërbejë si motivues) sipas të cilit, ne bëhemi më të fortë nëse dalim ‘gjallë’ pasi përjetojmë diçka jashtëzakonisht kërcënuese për jetën apo mirëqenien tonë fizike apo mendore.
Si e mendoj unë?

Jo! Ajo sa më sipër nuk qëndron. Ja dy nga arsyet pse unë mendoj se kemi nevojë ta shpëtojmë veten një orë e më parë nga një qëndrim i tillë jorealist dhe, madjé, pengues për procesin e riaftësimit dhe rigjenerimit pas përvojave të tilla tronditëse për thelbin tonë.
Ajo çfarë nuk na vret, NUK na bën më të fortë!

Arsyeja nr 1. Nëse çfarë kemi përjetuar ka qenë aq e rrezikshme dhe e frikshme sa ne e kemi përjetuar si kërcënuese për jetën apo mirëqenien tonë, atëherë ajo ka arritur të aktivizojë gjithë mekanizmat tanë fizikë, mendorë dhe emocionalë për të mbijetuar. Dhe të mbijetosh do të thotë të reduktosh ekzistencën tënde në pikën ku ti lutesh vetëm të mbetesh gjallë. A mund të më thotë dikush çfarë gjeje prej ‘të forti’ ka lutja për të mbetur gjallë?!

Arsyeja nr 2. Ajo çfarë vjen si shumë kërcënuese, edhe nëse nuk na vret, na plagos. Plagos, mbi të gjitha, privilegjin që kishim para Kësaj për të mos menduar se ne (ose të dashurit tanë, nëse janë ata që po vuajnë) në fakt, jemi të sëmurshëm, të prekshëm, të vdekshëm.

Sado jorealist është besimi që ne jemi ‘të pavdekshëm’, kur ky besim tronditet, ai shkërmoq mundësinë tonë për të mos jetuar më me moskokëçarje; pasi kalon një përvojë të tillë, çdo frymëmarrje bëhet një element për t’u vëzhguar me dyshimin se diçka e keqe mund të të ndodhë sërish.

A mund të më thotë dikush çfarë gjeje prej ‘të forti’ ka pasiguria e vazhdueshme se diçka e keqe mund të të ndodhë?!
(Fatkeqësisht FB nuk i ka përzemër tekstet e gjata ndaj po mjaftohem me dy arsye!)

Ajo çfarë nuk na vret NUK na bën më të fortë!
Madjé, unë as NUK mendoj se ne DUHET të bëhemi më të fortë!
Ajo çfarë nuk na vret (pasi na përshkon deri në palcë), na tregon sa të prekshëm, të sëmurshëm dhe të vdekshëm jemi!

Unë mendoj se ne DUHET thjesht të bëjmë paqe me faktin se jemi njerëz!
Ajo që na përshkon deri në palcë, na e trondit ekzistencën dhe pastaj na le gjallë, vjen në jetën tonë për të na mësuar se jemi ‘TË DOBËT’ dhe nuk ka asgjë jonjerëzore në gjithë këtë.

Ajo vjen për të na mësuar të shikojmë se si ne mund të jetojmë edhe me vuajtjen, edhe me frikën, edhe me dhimbjen, edhe me zhgënjimin, edhe me humbjen. Ne mund të vazhdojmë të jetojmë, pavarësisht tyre!

Unë mendoj se, nëse jeta e sjell të na përshkojë Ajo që nuk na vret, le ta shfrytëzojmë si një mundësi të artë për t’u ndjerë ‘Të dobët’ pas kësaj.
Ajo që nuk na vret, NUK na bën më të fortë!
Ajo që nuk na vret, na tregon se çfarë është të jesh plotësisht njeri!

Të dashur miq!
Gjithë sa ju thashë është ajo që di, ajo që kam përjetuar dhe çfarë mund të marr me mend.
Unë sot jetoj përtej asaj që nuk më vrau. Dhe nuk ndjehem më e fortë!
Ndjehem thjesht më shumë UNË sesa më parë!

ObserverKult


Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: DO TË TË FAL SËRISH DHE DO TË IKI TUTJE…


SILVANA KOLA-LOKA: MOS U GËZO O I GËZUAR! MOS U TRISHTO O I TRISHTUAR!