Silvana Kola-Loka: Mos u gëzo o i gëzuar! Mos u trishto o i trishtuar!

me shume dhembin plagët e miqve sesa plagët e armiqve silvana kola loka

Nga Silvana Kola-Loka

“Në çdo ilaç ka pak dozë helm!”

E lexova diku këtë fjali dhe kam ngecur prej disa ditësh. E sjell dhe e risjell nëpër mend a thua se aty fshihet ndonjë formulë e koduar që mban një nga sekretet e mëdha të jetës.(Edhe nëse është një formulë e tillë, unë nuk do të dija ta zbërtheja.)

Veçse, qysh prej momentit kur e lexova, nisa të mendoj:

-Kur dashurojmë shumë, a nuk ndjejmë një dozë të pashmangashme frike se mos e humbasim njeriun e dashur?

-Kur lumturohemi se më në fund ia kemi dalë të realizojmë qëllimet tona, a nuk ndjejmë një dozë dhimbjeje për kohën që kemi humbur në mënyrë të pakthyeshme nga jeta jonë ndërsa përpiqeshim për t’ia dalë mbanë?

-Nëse qeshim me shpirt ndërsa flasim me dikë, a nuk ndjejmë një dozë brenge për të gjitha herët që ia kemi mohuar vetes të qeshurën?

E di që ndoshta do të më thoni se unë e vras mendjen shumë. Dhe, ndoshta, keni të drejtë. Por unë them se ia vlen të mendohet se sa të papërkryra janë gjërat që ne njerëzit, ndjejmë. Të papërkryra në kuptimin se emocionet tona janë të pakulluara. Ato janë të përziera mes tyre e të ‘njollosura’ në vete.

Do të ishte krejt e kotë të përpiqeshim të gjenim dashurinë sublime. Nëse do t’i gjenim lumturinë e kulluar, krenarinë deri në përulësi, dhembshurinë vetmohuese e të tjera si këto. Nëse do t’i gjenim ndonjë ditë, ashtu të kulluara deri në detaj, personalisht mendoj se do të kemi nevojë të fshijmë mirë xhamat e syzeve. Atëherë do të mund të zbulojmë frikën, pasigurinë, dhimbjen, pështjellimin që iu qëndrojnë aty, në krah, krejt si një binjak siamez.

Si thuhet?

Mos u gëzo o i gëzuar! Mos u trishto o i trishtuar!

Mbase, me të vërtetë, çdo emocion që vjen si ilaç për shpirtin, ka një dozë helmi brenda vetes. Mbase, vetëm kështu, ne mund ta përballojmë ‘shërimin’. E dua njeriun me masën e ngazëllimit të vazhdueshëm që më jep zbulimi i njerëzores së tij komplekse dhe krejt të pakulluar!

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: UNË NUK JAM I MIRË MJAFTUESHËM PËR TY…