Silvana Kola-Loka: “Ata që i duan udhëtimet, ose janë në kërkim të vetes ose ikin nga vetja…”

Silvana Kola-Loka

Nga Silvana Kola-Loka

Thonë se ata që i adhurojnë udhëtimet, dalin nëpër botë në kërkim të vetes. Të tjerë thonë se ata që i adhurojnë udhëtimet e bëjnë këtë sepse, duke udhëtuar, kanë mundësinë t’i ikin vetes…

Janë pa fund vendet ku dua të shkoj. Nuk e di ç’do të gjej, por kam ndjesinë se jeta do të më duket më e përballueshme çdo herë që do shoh se ka botë dhe jetë jashtë meje. Më pëlqen eksitimi i ‘të panjohurës’!

Janë shumë vende ku dua të kthehem. Atje e di se çfarë mund të gjej (paçka se, çdo herë që i rivizitoj, diçka ka ndryshuar me patjetër; unë gjithashtu) dhe, çdo herë që i rivizitoj, më duket sikur kthehem në shtëpi, në një vend i cili më përket dhe i përkas. Më pëlqen ndjesia e ngrohtësisë që më jep ‘e njohura’!

Pastaj, janë edhe ato vende (janë pak, por mëse të mjaftueshme) nga ku nuk dua të iki. Madjé, edhe kur iki, mbetem ende aty! Ka diçka magnetike në ato vende! Një ndjesi që, nëse iki, do lë pas diçka prej shpirtit tim dhe, kësisoj, do mbart me vete hoje boshe që nuk do të mund të mbushen me asgjë, sepse aty mund të bëjë vend vetëm diçka prej shpirtit tim, që vetëm ai vend më jep mundësinë ta jetoj. Më pëlqen ndjesia se i përkas diçkaje më të madhe se vetja!

Dhe këto vende mund të jenë një rrugë, një mal, një pyll, një det, një libër, një ëndërr, kraharori i një njeriu…

*Titulli i origjinalit: Për udhëtimet dhe udhëtarët

ObserverKult


Silvana Kola Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: BOTA ËSHTË E MBUSHUR PLOT ME NJERËZ TË KËQINJ DHE TË PABESË

Nga Silvana Kola-Loka

Jeta është e mbushur plot njerëz të këqinj dhe të pabesë! Kjo është ndër frazat që dëgjoj më shpesh në praktikën si terapiste.

Nuk jam aspak hiperbolike kur them se, thuajse të gjithë pacientët e mi (dhe jo vetëm), ankohen vazhdimisht për lëndimin që iu kanë shkaktuar të tjerët, të cilët ata i cilësojnë të gjithë si ‘të këqinj’ dhe ‘të pabesë’.

E kuptoj përfundimin e tyre se të gjithë njerëzit janë të këqinj: pacientët e mi janë abuzuar seksualisht nga familjarët e tyre; janë rrahur barbarisht nga prindërit dhe bashkëshortët; janë tallur dhe dhunuar nga bashkëmoshatarët; janë tradhëtuar nga miqtë dhe njerëzit e besuar; janë braktisur nga ata që kanë dashur më shumë…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult