Silvana Kola-Loka: Fëmijët kanë nevojë për prindër që gabojnë

Silvana Kola-Loka


Nga: Silvana Kola-Loka

Fëmijët kanë nevojë për prindër që gabojnë.
Po! Unë e besoj fort këtë!
Unë besoj tek prindi që gabon dhe nuk justifikohet se ishte i lodhur, se nuk e kishte mendjen apo se gaboi pa dashje.

Kështu ai i mëson fëmijës se gabimet mund të vijnë edhe si pasojë e gjykimit të gabuar apo të nxituar apo edhe si pasojë e mungesës totale të gjykimit dhe kjo nuk e bën atë që gabon një njeri të keq apo të pavlerë.

Unë besoj tek prindi që gabon dhe kërkon të falur. Kështu ai i mëson fëmijës se të kërkosh të falur nuk është dobësi, por në fakt është krejt e kundërta. Kërkimi i faljes tregon se ai që gabon e di se e ka lënduar tjetrin dhe të pranosh këtë kërkon shumë forcë.


Unë besoj tek prindi që gabon dhe mban përgjegjësi personale për të gjithë koston e gabimit të tij. Kështu ai i mëson fëmijës se vetëm duke treguar se mund të mbajë përgjegjësi personale për gabimet ai mund të kërkojë që të ketë më shumë përgjegjësira në jetë. Njeriun nuk e rrit kalimi i viteve por masa e përgjegjësive që arrin të mbajë.

Unë besoj tek prindi që gabon dhe qan, zemërohet apo ndjen gjithëfarë emocioni tjetër si pasojë e gabimit dhe e shfaq atë në sy të fëmijëve. Kështu ai i mëson fëmijës se emocionet janë një pjesë shumë e rëndësishme e jonanga e cila nuk duhet të heqim dorë asnjëherë.

Unë besoj tek prindi që gabon dhe e lejon fëmijën ta gjykojë. Kështu ai i mëson fëmijës rëndësinë e mendimit kritik dhe, mbi të gjitha, rëndësinë e shprehjes së mendimit.
Unë besoj tek prindi që gabon dhe e lejon fëmijën ta korrigjojë. Kështu ai e ndihmon fëmijën të mësojë për relativitetin e peshës së një gabimi dhe reflektimit ndaj tij.

Unë besoj tek prindi që gabon dhe i tregon fëmijës se edhe ai si prind duhet të përpiqet të përmirësohet. Kështu ai e mëson fëmijën se gabimet që bëjmë nuk na përcaktojnë se kush jemi. Ne gjithmonë mund të bëhemi më të mirë sesa ishim.

Unë besoj tek prindi që gabon dhe i kërkon fëmijës një përqafim. Kështu ai i mëson fëmijës se gabimet nuk e zhbëjnë dashurinë. Mbi të gjitha ai i mëson fëmijës se edhe prindërit kanë nevojë për përqafimin e fëmijëve të tyre.


Unë besoj tek prindërit që gabojnë edhe thjesht vetëm për të gabuar për t’iu treguar fëmijëve se të gabosh është diçka njerëzore.

Unë mendoj se prindi që gabon dhe reagon si më sipër e ndihmon fëmijën të rritet shumë më shumë dhe shumë më shëndetshëm sesa një prind që nuk gabon asnjëherë.
Tek e fundit, një prind që nuk gabon nuk ekziston. Edhe nëse ekziston, askush nuk e ka parë…ObserverKult


Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: NJË SHËNIM I VOGËL PËR NJË ‘KEQDIAGNOSTIKIM’ TË SHOQËRISË SHQIPTARE

ObserverKult