Silvana Kola-Loka: Frika nga vdekja

përputhen silvana heshtja

Frika nga Vdekja -Pjesë nga Ditari i një Psikologeje

Nga Silvana Kola-Loka

Ai shfryu me forcë për të penguar dënesjen. Sapo më kishte treguar se si frika nga vdekja e kishte paralizuar plotësisht jetën e tij.

Vazhdimisht kishte frikë se do të vdiste nga ndonjë sëmundje, nga ndonjë aksident apo se do të flinte dhe nuk do të zgjohej më. Ai këmbëngulte se e dinte që kjo frikë nga vdekja ishte krejt e pavend dhe pa asnjë arsye, por e kishte të pamundur ta zhdukte frikën.

E përfundoi rrëfimin e tij duke thënë: “Nuk mendoni edhe ju se është e turpshme që një djalë 35 vjeç të ketë frikë nga vdekja?”

***

Frika është një emocion i pakëndshëm, i cili shkaktohet nga besimi se dikush apo diçka përbën rrezik për ne, që mund të na shkaktojë dhimbje ose të na kërcënojë mirëqenien dhe/ose vetë ekzistencën.

Përgjithësisht, njerëzit e mendojnë frikën si një emocion që duhet luftuar, që duhet eleminuar apo që duhet asfiksuar.

Ka nga ata që e mendojnë përjetimin e frikës si tregues të karakterit apo aftësive të një njeriu ndaj edhe përballja me të kthehet në një sprovë që duhet kaluar me sukses, ndryshe shoqëria e gjykon individin si frikacak.

Së fundmi, janë edhe ata që gjykojnë se frika është një emocion si shumë të tjerë, që duhet përjetuar ashtu siç vjen. Këtij grupi të fundit i përkas edhe unë.

Personalisht unë gjithnjë i kam konsideruar emocionet si një aftësi e jashtëzakonshme e njeriut; të gjitha emocionet, pavarësisht ndjenjës subjektive që shkaktojnë. Në optikën time, të gjitha emocionet luajnë një rol të madh. Ato na mundësojnë të kuptojmë vlerën e vërtetë të njerëzve apo gjërave që na e kanë shkaktuar emocionin përkatës. Emocionet tregojnë stadin tonë të zhvillimit dhe si të tilla duhet të trajtohen si prirje tejet individuale.

Po frika?! Po frika nga vdekja?!

A mund të na shërbejë frika nga vdekja si tregues i përmbysur i raportit tonë me jetën? A mund të na tregojë frika nga vdekja se sa intensive ka qenë jeta jonë dhe, si e tillë, e pashijuar për shkak të turravrapit? A mund të na tregojë frika nga vdekja sa e plogësht ka qenë jeta jonë, sa të parealizuar e ndjejmë veten dhe, si e tillë, gjykojmë se koha që na ka mbetur nuk do na mjaftojë të bëjmë çfarë nuk kemi bërë deri tani?

A na tregon frika nga vdekja se nuk e kemi jetuar jetën sikurse do të dëshironim?

***

A e dini se në mitologjinë greke Frika dhe Tmerri ishin fëmijët e ardhur nga lidhja e Afërditës, Perëndeshës së Dashurisë me Aries, Perëndinë e luftës?

Frika dhe Tmerri drejtonin luftërat dhe vendosnin se cili do ta fitonte luftën; ai që fitonte luftën ishte ai që nuk ndjente frikë dhe tmerr nga kundërshtari…

Sado shumë apo pak t’ju tërheqë mitologjia greke, a nuk ju duket edhe juve poaq e çuditshme sa edhe e jashtëzakonshme se si Frika dhe Tmerri mund të lindin nga Dashuria?!

Diku mes legjendash kam lexuar se vetëm nga Dashuria mund të lindi Frika nga Humbja, Frika nga Vdekja.

Tek e fundit, vetëm nëse dashuron, njeriu frigohet nga bosh-i therrës i humbjes së Dashurisë. Dhe nga ana tjetër, vetëm nëse dashuron me të vërtetë njeriu mund ta ndjejë se nuk ka asnjë arsye për të patur frikë. Dashuria e kapërcen frikën…

ObserverKult


Silvana Kola-Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: AJO ÇFARË NUK NA VRET, NUK NA BËN MË TË FORTË!

Nga: Silvana Kola-Loka


E lexoj të postuar dhe të ripostuar citatin me përmbajtjen e kundërt nga sa sipër (që mendoj se supozohet të shërbejë si motivues) sipas të cilit, ne bëhemi më të fortë nëse dalim ‘gjallë’ pasi përjetojmë diçka jashtëzakonisht kërcënuese për jetën apo mirëqenien tonë fizike apo mendore.
Si e mendoj unë?

Jo! Ajo sa më sipër nuk qëndron. Ja dy nga arsyet pse unë mendoj se kemi nevojë ta shpëtojmë veten një orë e më parë nga një qëndrim i tillë jorealist dhe, madjé, pengues për procesin e riaftësimit dhe rigjenerimit pas përvojave të tilla tronditëse për thelbin tonë.
Ajo çfarë nuk na vret, NUK na bën më të fortë!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult