Silvana Kola-Loka: “Jeta është e mbushur plot me njerëz të këqinj dhe të pabesë!”

Silvana Kola-Loka

“Jeta është e mbushur plot njerëz të këqinj dhe të pabesë!”

Nga Silvana Kola-Loka

Kjo është ndër frazat që dëgjoj më shpesh në praktikën si terapiste. Nuk jam aspak hiperbolike kur them se, thuajse të gjithë pacientët e mi (dhe jo vetëm), ankohen vazhdimisht për lëndimin që iu kanë shkaktuar të tjerët, të cilët ata i cilësojnë të gjithë si ‘të këqinj’ dhe ‘të pabesë’.

E kuptoj përfundimin e tyre se të gjithë njerëzit janë të këqinj: pacientët e mi janë abuzuar seksualisht nga familjarët e tyre; janë rrahur barbarisht nga prindërit dhe bashkëshortët; janë tallur dhe dhunuar nga bashkëmoshatarët; janë tradhëtuar nga miqtë dhe njerëzit e besuar; janë braktisur nga ata që kanë dashur më shumë…

Për pacientët e mi, ka mjaftuar shpesh herë lëndimi nga vetëm një njeri i vetëm, që ata të humbasin besimin tek gjithë njerëzimi. Dhe është mëse e kuptueshme: kur të lëndon dikush që të njeh dhe tek i cili ti beson, atëherë gjithë të tjerët mund të bëjnë ç’të duan me ty, pa ju dhimbsur fare.

Kur lëndimi ka qenë aq i madh, atëherë njerëzit fillojnë të besojnë se bota është e rrezikshme, se ata janë të pafuqishëm për të mbrojtur veten ndaj më mirë të mos përzjehen fare me askënd, sepse të gjithë janë njësoj. Mjafton një njeri i keq që pacientët të humbasin besimin te gjithë njerëzimi.

***

E megjithatë, qëndrimin e mësipërm, se gjithë bota është e mbushur me njerëz të këqinj, e hasim të thuhet rëndom, nga të gjithë ne; edhe pse nuk vijmë nga të tilla përvoja traumatike.

Media është e mbushur me lajme që ngjallin frikë për jetën; pasiguri për të nesërmen; tension për të mbijetuar dhe vanitet që transformohet në një luftë të vazhdueshme të njeriut me veten, që i duket gjithnjë më e pavlerë se xixëllonjat e ekraneve.

Politika prodhon vazhdimisht histori që të ngjallin krupën nga çfarë njeriu është në gjendje të bëjë kur vishet me pushtet; të përzjejnë zorrët kur shikon surealizmin përrallor në të cilin jetojnë politikëbërësit ndërsa populli ndjehet i shtypur si milingonë, të revoltojnë për faktin se të gjithë janë njësoj përbuzës dhe abuzues ndaj popullit dhe, si pasojë, të gjitha ngjarjet politike prodhojnë humbje shprese dhe dëshpërim…

***

Kur vijnë tek unë, përgjatë punës terapeutike, përveç shumë gjërave specifike për të cilat pacientët ndihmohen, ata fillojnë të ringrenë besimin tek tjetri. Ata provojnë që, përgjatë marrëdhënies me mua, të fillojnë të kenë besim tek unë, një e panjohur. Ata provojnë të kenë besim tek vetja. Dhe, në shumicën e rasteve, besimi arrin të restaurohet: besimi tek vetja dhe besimi tek tjetri.

Dhe kjo ndodh me çdo terapist. Tek ne, njerëzit fillojnë të ribesojnë tek tjetri dhe te vetja. Dhe, si pasojë, fillojnë të ribesojnë tek njerëzimi. Kjo sigurisht nuk është aspak kaq e thjeshtë sa duket kur e lexon. Ne arsimohemi për të qenë dëgjues të mirë, të mos gjykojmë, ta pranojmë tjetrin me gjithë korpusin e cilësive të tij, ta mbështesim pa rezervë suksesin e tij. Ne e dimë se një njeri i lumtur më shumë do të thotë një buzëqeshje më shumë në ajrin që thithim të gjithë.

Nëse ne terapistët mund ta rikthejmë besimin e njeriut tek njeriu, atëherë kjo qenka realisht e mundur, apo jo? (Nuk po them që të gjithë të bëhen psikologë, edhe pse studimi i psikologjisë së njeriut do të duhej të ishte një studim i dobishëm për të gjithë!) Si mund ta ndihmojnë ne veten të mos biem në ullukun e medias, politikës dhe thashethemnajës dashakeqe për të mos e humbur besimin tek njeriu dhe njerëzimi?

Më thoni, a nuk mundemi ne të hedhim sytë përreth e të shohim se ka njerëz tek të cilët mund të besojmë, mund t’i duam pa frikë, mund t’i pranojmë pa rezerva? A nuk mundemi ne vetë, të jemi dikush që ta duam tjetrin pa frikë, ta pranojmë pa rezerva dhe të jemi të besueshëm? Tek e fundit njerëzimi jemi ne vetë.

Nëse dikush arrin të besojë tek ne, ai mund të besojë tek vetë njerëzimi. Edhe në mos ndodhtë të besojë tek gjithë njerëzimi, kur të na njohë ne, do të thotë: “Bota është e mbushur plot me njerëz të këqinj, por ka edhe njerëz të mirë. Unë e kam njohur njërin prej tyre!…”

ObserverKult


rexhep qosja filmat

Lexo edhe:

REXHEP QOSJA: SI MUND TA DALLOJMË NJË SNOB?