Silvana Kola-Loka: Ka ditë kur dua të ulërij…

Silvana Kola-Loka

Nga Silvana Kola-Loka

Ka ditë kur dua të ulërij!
Dua t’i ulërij në fytyrë atij/asaj që e shikon një fëmijë në varfëri dhe mendon se një çantë ushqime në ditë festash do t’ia ngopë atij barkun me bukë dhe shpirtin me qetësi dhe ngazëllim për gjithë vitin;

Dua t’i ulërij me sa kam forcë atij/asaj që ngre dorën, zërin apo armën dhe vret një grua thjesht sepse është kaq mjeran(e) dhe i/e dalë mendsh sa të mos kuptojë se vdekja e saj, ashtu sikurse edhe jeta e saj, nuk janë aspak në të drejtën e tij për të vendosur çfarë të bëjë me të;

Dua t’i ulërij sa të mos kem më zë atij/asaj që shikon dikë me një nevojë apo aftësi ndryshe (E ç’rëndësi ka në këtë pikë se si e themi!) dhe reagimi i parë, ai i pari fare, është t’i thojë vetes nën zë “Zot! Larg meje!”;

Dua t’i ulërij deri sa të më errën sytë e të më buçasin veshët atij/asaj që shikojnë një të moshuar që ecën i kërrusur e njëkohësisht shumë dinjitoz dhe vazhdon jetën i/e qetë, se të moshuarit e qytetit/fshatit qenkan mirë dhe rehat e se kot ankohen!

E sa herë dua të ulërij, kafshoj gjuhën, gëlltis fjalën dhe lotin, mbyll sytë dhe them me vete: “Ti je molepsur si të gjithë Silva! Shquan me kujdes dhimbjen dhe padrejtësinë; vuan në heshtje; revoltohesh në FB dhe në fund, si ngaherë, e vetmja gjë që mendon se mund të bësh është të përpiqesh të bësh më të mirën tënde çdo minutë. Mos më bëj për të qeshur!

Për sa kohë mendon se mund të mbahet zjarri i ndezur me shkarpa?” Po! Ka ditë kur dua të ulërij, por kujtohem se ulërima dhe piskama janë gjuhë e denjë grash që e kapin gjëmën prej fyti!

Dhe mua më ka mbetur revolta e ngecur brenda zgavrës së mendjes e shpirtit tim dhe këto fjalë… Deri kur!?

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Revolta e gruas brenda meje”

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: UNË NUK JAM I MIRË MJAFTUESHËM PËR TY…