Silvana Kola-Loka: Keni provuar t’i shkruani një letër vetes?

Silvana Kola Loka
Silvana Kola-Loka

Po, po! Një letër prej vërteti. Nga ato që fillojnë me: “E dashur vetja ime!….”

Është diçka që unë e bëj kohë pas kohe.

Është një marrëdhënie me veten që unë e çmoj fort dhe përkujdesem që të mos e anashkaloj prej turravrapit të ditës.

Herë i shkruaj Silvës fëmijë dhe herë Silvës të shtyrë në moshë. Ka edhe raste kur i shkruaj vetes së një dite më parë apo vetes së nesërme.

Kur ulem të shkruaj një letër si kjo, bota mbetet e gjitha jashtë. Unë nuk jam e askujt. Unë nuk kam askënd. Asnjë zhurmë e brendshme apo e jashtme nuk më prek. Unë jam vetëm Silva. Silva e Silvës.

Dhe kështu, me këtë vetëdijësim për faktin se në ato momente unë jam qendra e botës time, filloj t’i hapem vetes.

Në fillim e kisha shumë të vështirë t’i flisja vetes sepse mendja ime vazhdimisht më pengonte. Mendja gjente turlilloj argumentesh, arsyetimesh dhe justifikimesh vetëm e vetëm që t’i bënte bisht një bisede të hapur me veten; një bisedë nga ato që të përçojnë deri në palcë.

Derisa, pak nga pak, provë pas prove, ia dola ta ul veten përballë dhe t’i them të vërteta që të therin, që të gëzojnë, që të bëjnë të krenohesh me veten, që të bëjnë të të vijë turp nga vetja e lëkura të të përcëllojë, etj, etj.

Diku kam lexuar se kur vendos ta marrësh jetën në duart e tua, ndodh diçka e tmerrshme. Ti nuk mund t’ia hedhësh më fajin askujt për asgjë që ndodh në jetën tënde dhe as t’i japësh merita që nuk i takojnë…

Provoni t’i shkruani vetes!

Do të jetë një letër e vështirë, por ju siguroj se do të jetë më e bukura dhe më e vlera letër dashurie që keni shkruajtur ndonjëherë në jetën tuaj…

ObserverKult

____________________

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: PËRSE NJERËZVE IU PËLQEN TË FLASIN PËR VETEN ME TË TJERËT?