Silvana Kola-Loka: Mos kërko të falur se u ndjeve i zemëruar, xheloz, i turpëruar, por…

Silvana Kola Loka
Silvana Kola-Loka

Mos kërko të falur se u ndjeve i zemëruar, por sepse, në vend të tërhiqeshe derisa të qetësoheshe, ti lëndove dikë për të shkarkuar zemërimin tënd!

Mos kërko të falur se u ndjeve i turpëruar, por sepse, në vend që të përpiqeshe për të kuptuar se çfarë nuk shkoi mirë, ti lëndove dikë për të shkarkuar turpërimin tënd!

Mos kërko të falur se u ndjeve xheloz apo ziliqar, por sepse, në vend që të tërhiqeshe dhe të kuptoje përse ti ndjehesh më i vogël se tjetri, ti lëndove dikë për të shkarkuar xhelozinë tënde!

Mos kërko të falur se u ndjeve i dobët, por sepse, në vend që të tërhiqeshe për të kuptuar përse e përfshin veten në rrethana dhe me njerëz që të bëjnë të ndjehesh i dobët dhe i frikësuar, ti lëndove dikë për të shkarkuar dobësinë tënde!

Mos kërko të falur se u ndjeve i lënduar, por sepse, në vend që të pranoje se lëndimi nuk të bën më pak burrë apo më pak grua, ti lëndove dikë për të shkarkuar lëndimin tënd!

Mos kërko të falur për asnjë emocion që ndjen! Është njësoj si të kërkosh të falur sepse je NJERI.

Kërko të falur për atë që ti vendos të bësh me emocionet e tua!

Kërko të falur për vendimin e gabuar për t’i shkarkuar emocionet e tua tek tjetri, duke e lënduar atë, në mënyrë që dikush tjetër të vuajë poaq sa ty, në mos ca më shumë!

E ke parë dallgën? Ajo rrëshqet butë ose përplaset me forcë në breg dhe pastaj tërhiqet sërish në det. Dhe pas kësaj, një dallgë tjetër e vazhdon pushtimin e bregut thuajse për një çast dhe pastaj tërhiqet pashmangshmërisht në ujërat e detit.

Kështu janë emocionet tona. Ato na përshkojnë butësisht ose me forcë dhe e pushtojnë trupin e mendjen tonë për pak çaste ose minuta. Pastaj, ashtu sikurse dallgët, emocionet fashiten dhe tërhiqen në thellësitë tona deri në ngacmimin e radhës.

Ashtu sikurse dallgët që përplasen me forcë në breg dhe përlajnë ç’gjejnë përpara, emocionet tona mund të shkarkohen tek të tjerët e të trondisin botët e tyre. E kur emocionet tona të jenë davaritur dhe ne të jemi qetësuar, të tjerët pranë nesh do të përpëliten ende për të kuptuar çfarë bënë për të merituar sjelljen tonë…

Dallga nuk di! Dallga nuk ndjen!

Ne po!!!

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Mos kërko të falur se je njeri!”

____________________

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: PËR PAPËRPUTHSHMËRINË ME NJERIUN TË EMISIONIT “PËRPUTHEN”