Silvana Kola-Loka: Një shënim i vogël për një ‘keqdiagnostikim’ të shoqërisë shqiptare

Silvana Kola-Loka

Nga: Silvana Kola-Loka

Jo! Nuk është “Sindroma e Stokholmit” (sado tërheqëse të duket si terminologji) ajo që mund të shpjegojë apatinë e shoqërisë shqiptare. Populli nuk është viktimë pasive! Dhe asnjëra nga partitë (ajo në pushtet apo tjetra që zhgërryhet në bankinë) nuk është kurrsesi e vetmja dhunuese!

Është “Sindroma e pafuqisë së mësuar” sipas të cilës, dikush nuk arrin më të reagojë pas traumave dhe zhgënjimeve të përsëritura, ajo që shpjegon më së miri apatinë, mpirjen e nervit dhe lëshimin në rënie të lirë të logjikës dhe ndjeshmërisë qytetare kaosin. Kjo është një sindromë e vërtetë e shëndetit mendor.

Njeriu që vuan nga kjo sindromë beson katërcipërisht se ai nuk është më në gjendje të kontrollojë situatën, ndaj nuk përpiqet më, as atëherë kur ‘shpëtimi’ nga situata tejet stresuese mund të jetë mëse i qartë dhe i lehtë. Shoqëria shqiptare është sëmurë nga kjo ‘sëmundje’ e cila nuk u zhvillua as dje, as sot.

Nuk nisi as nga lufta në Ukrainë dhe as nga zgjedhjet tip ‘lojëra luftrërash’ që luanin dikur fëmijët nëpër oborret e lagjeve ndërsa përdornin shkopinj në vend të “armëve”. Kjo “Sindromë e pafuqisë së mësuar” ka ardhur si pasojë e një sfilitjeje dhe zhvatjeje të vazhdueshme të popullit prej legjislaturash të tëra, të njëpasnjëshme, të të gjitha ngjyrave, secila sipas stilit të vet.

Ndaj, le të mos e rëndojmë popullin me asnjë akuzë për shitje të shpirtit ditën e votimit duke i vënë në kurriz faturën e çmendurisë së politikanëve të korruptuar dhe politikave të tyre që syrgjynosin shqiptarët nëpër botë dhe, kripin mishin e tharë të atyre që kanë mbetur në Shqipëri… Popullit, të gjitha partitë-shtet që erdhën dhe ikën ndër vite, i vranë atë çfarë është më e rëndësishmja në ekzistencën e një populli: besimin tek fuqia e vet.

A shërohet “Sindroma e pafuqisë së mësuar”? Po! Shërohet! Si fillim duke kuptuar se populli jemi ne! Populli jam unë! Populli je ti!

P. S. Mjaft e kërkuam fajin tek vetja! Faji është i politikanëve dhe çdo moment është momenti i duhur që ata të mbajnë përgjegjësi. Dorëheqjet dhe largimi i gjithëjetshëm nga politika do të ishte vetëm hapi i parë! Historinë nuk e kanë bërë dorëheqjet, por revolucionet!

ObserverKult

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: KA DITË KUR DUA TË ULËRIJ…