Silvana Kola-Loka: Për papërputhshmërinë me njeriun të emisionit “Përputhen”

përputhen silvana heshtja

Sandra më shkruajti “Silva, të lutem, shikoje për hatrin tim një pjesë të “Përputhen”. Ç’bëhet kështu?! Unë do ta kisha hedhur në gjyq produksionin! Si nuk del një psikolog të flasë!!”.

E pranoj. Doja t’i thoja “Jo, nuk mundem! Kam kohë vetëm për përvoja të bukura njerëzore!”. Por Sandrën e dua fort. Dhe, për më tepër, ajo po më thoshte “Ti si psikologe duhet të kesh një qendrim! Kjo është jeta e vërtetë për shumë shqiptarë ndaj ti duhet të flasësh për të vërtetën, edhe kur nuk është e bukur!”.

E binda veten. E pashë. U pështjellova. U neverita. U revoltova. Dhe vendosa të ndaj me ju pjesë nga monologu im:

-Njeriu është qenie që udhëhiqet nga kurioziteti dhe media fërkon duart me servirjen e jetës së njerëzve pa asnjë mëshirë për ndjenjat e tyre; mjafton që publiku të kënaqet me mundësinë për vuajerizëm dhe komente (në rastin më të mirë) të pavendta. Sa me fat paskan qenë gladiatorët! Luani mund t’iu shqyente trupin për hir të euforisë të turmës, por luani dhe turma as që e kishin mundësinë të dinin çfarë mbante brenda shpirti i gladiatorit!

-Vajza dhe djem të vendosur përballë njëri-tjetrit, duke besuar se po iu jepet e drejta të jenë zotër të jetës së tyre, sepse, medemek, po zgjedhin partnerin e jetës. Ndërkohë, një qenie që luan gazetaren, shtrëngon dikë të përgjigjet për seksualitetin e tij, duke guxuar ta ngrejë zërin dhe ta bëjë djalin të ndjehet i detyruar të flasë. Pushkatin publik i të drejtës për privatësi! Ç’mjerim!!

-Vajza dhe djem, të veshur dhe zbukuruar si për vitrinë, por me një fjalor bosh dhe vulgar. Flitet me fjalë të mëdha, por krejt pa përmbajtje tjetër përveç nevojës për sa më shumë kohë televizive dhe sa më shumë prani në kamera.
-Pastaj vijnë ata, opinionistët! Opinionistë të kujt?! Opinionistë për çfarë?! Psikologët dhe profesionistë të tjerë që trajtojnë njeriun, bëjnë një okë shkollë e cila nuk mbaron asnjëherë, dhe nuk guxojnë të kenë opinione për “të qenit njeri!”.

-Silva! Mendo pozitivisht! Po sikur asgjë nga sa shikon të mos jetë e vërtetë? Po sikur, në të vërtetë, të gjitha historitë personale dhe të gjitha skenat e xhiruara të jenë të stisura, sa për televizion? Po sikur, në fakt, të gjithë vajzat dhe djemtë të kenë një fjalor më të thellë se sa tregojnë, që dëshmon se janë shumë më të pasur në mendje dhe shpirt? Po sikur ata opinionistët t’i kenë detyruar me armë në tëmth ose t’i kenë droguar dhe në fakt të mos e dinë se ç’po bëjnë?

Atëherë, nëse gjëja më e mirë e mundshme do të ishte që e gjitha sa duket në TV në emisionin “Përputhen” të jetë e gjitha sa për sy e faqe, sa për televizion, atëherë a nuk duhet të shqetësohemi edhe më shumë?!

Të shqetësohemi për faktin se televizioni po gatuan dhe servir ashiqare mjerimin mendor dhe shpirtëror të njeriut si mënyra më e mirë për më shumë spektatorë?!
Sandra kishte të drejtë! Produksioni meriton të hidhet në gjyq! Vetëm se, në cilën gjykatë, përsa kohë unë shoh më shumë të rinj pjesëmarrës në audicionet e “Përputhen” sesa qytetarë në një protestë për të kthyer fëmijët në shkollë?!?!
Me zemër të thyer,
Silva


Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: KENI PROVUAR T’I SHKRUANI NJË LETËR VETES?