Silvana Kola-Loka: Unë jam ajo që jap…

Unë jam ajo që jap…
Nuk është gjëja që merr, ajo që është më e rëndësishmja. Ajo që jep, po!
Nuk është njeriu që afrohet drejt teje, njeriu më i rëndësishëm. Njeriu që ti i jep atij, po!
Nuk është koha që të kushtojnë të tjerët, koha më e rëndësishme. Koha që ti iu kushton atyre, po!
Nuk janë përkujdesjet që të japin të tjerët, përkujdesjet më të rëndësishme. Përkujdesja që iu jep ti atyre, po!
Nuk është mendimi që të tjerët të përkushtojnë ty, mendimi më i rëndësishëm. Mendimi që ti iu përkushton atyre, po!
Nuk është dashuria që të japin të tjerët, dashuria më e rëndësishme. Dashuria që jep ti, po!
Asgjë dhe askush që të jepet ty, nuk janë të rëndësishme. Madje, nëse e mendon hollë-hollë, ato as nuk do të ekzistonin nëse fillimisht ti nuk do të doje të jepje diçka nga vetja, qoftë edhe veten tënde.
E ke menduar ndonjë herë?!
Vetëm një bosh mund të mbushet.
Vetëm nëse i jep tjetrit kohë nga koha jote, do të kesh vend të pranosh kohën që të jep tjetri. Në të kundërt, prania e tij do të të duket e tepërt, mbytëse, e pakuptimtë.
Vetëm nëse i jep tjetrit përkujdesjet e tua, do të kesh vend mjaftueshëm për të pranuar përkujdesjet e tjetrit. Në të kundërt, përkujdesjet e tij do të ta marrin frymën ose do të lodhesh më kot t’ua gjëje kuptimin.
Vetëm nëse i jep tjetrit mendimin tënd, do të kesh vend mjaftueshëm për të pranuar mendimin e tjetrit. Në të kundërt, nuk do dish ç’të bësh me mendimet që tjetri ka thurur për ty, veçse (ndoshta) t’i shikosh si trofe për egon tënde.
Vetëm nëse i jep tjetrit dashurinë tënde, do të kesh mjaftueshëm vend për dashurinë e tij. Në të kundërt, dashuria e tij do të të duket e tepërt, e panevojshme dhe (ndoshta) mjerane.
Mos do të thotë e gjitha sa më sipër se ne duhet të japin sepse presim të marrim në kthim?!
Në fakt është krejt e kundërta. Ne duhet ta mësojmë veten të japim duke ndjerë se bosh-i që krijojmë brenda vetes nuk është një bosh që kërkon të mbushet me patjetër.
Ne mund të japim thjesht dhe vetëm sepse e dimë se të japësh do të thotë të kesh zotëruar. Dhe nuk ka plotësi më të madhe për njeriun sesa të kuptojë zotërimin e vetes. Të paktën, në dijeninë time…


Pa mendo!
A nuk e ke ndjerë se ke nevojë të boshatisësh një vend ndër gjërat që lexon zakonisht për t’i hapur vend leximit të perditshëm të këtij blogu?
Nuk mësojmë dot gjëra të reja, nuk provojmë dot ndjesi të reja nëse nuk boshatisemi nga ato që tanimë zotërojmë. Dhe pikërisht në këtë boshatisje qëndron edhe ‘pasurimi’ më i madh. Sepse në fakt, ne nuk e humbasim kurrë atë që lëshojmë për t’i bërë vend diçkaje të re…

ObserverKult