Simboli i koduar që fshihet në kryeveprën e Caravaggios…

“Darka në Emmaus” e Caravaggios përmban një trung në shportën e thurur që pasqyron një emblemë të krishterë nëntokësore, shkruan artikulli i BBC-së.

Megjithëse sy të panumërt janë mrekulluar nga drama misterioze, ky detaj kishte kaluar pa u vërejtur në katër shekuj, që kur piktura u porosit nga fisniku italian, Ciriaco Mattei, në vitin 1601. Degëza e dalë nga gërsheta e endur e enës së frutave është një defekt i rafinuar.

Defekt që mund të zbërthejë kuptimin e vërtetë të veprës. Piktura tregon momentet para se Krishti të zhdukej nga bota. Në çastin midis zbulimit dhe zhdukjes, Caravaggio çel një pjesë të botës tjetër. Në të majtë të shportës, tregohet xhaxhai i Krishtit, Kleopas, i cili hidhet nga karrigia i panikosur nga habia e asaj që po ndodhte.

Në anën tjetër të xunkthit, në të djathtën tonë, Luka hap krahët gjerë, duke riformuluar qëndrimin në kryq të Krishtit, në momentin e dhimbshëm të vdekjes së tij.

Ndërkohë, bujtinari që qëndron pranë tij, dëgjon të njëjtat fjalë që Krishti u ka thënë dishepujve të tij, në pamundësi për të kuptuar domethënien e tyre. Caravaggio ishte shumë i kujdesshëm në vendosjen e koreografisë së kësaj skene të jashtëzakonshme.

Reagimet e kundërta të personazheve bëjnë të mundur nxjerrjen e fuqisë së pikturës. Caravaggio ishte shumë i vetëdijshëm se një pikturë ka potencialin të tejkalojë kufizimet e një sipërfaqeje statike, transmeton ‘gazetaexpress’.

“Piktori i ka bërë vetes një seri pyetjesh të drejtpërdrejta dhe të lidhura me historinë”, tha Andrew Graham Dixon në biografinë e tij për Caravaggio: A Life Sacred and Profane. Çfarë ndodh në momentin e një mrekullie? Si mund të tregohet?

A duhet që Krishti i ringjallur të vijë papritmas mes nesh? Si duken gjërat në të tilla momente? Një mjeshtër i dritës dhe errësirës që përdorte furçën e tij si një shkop magjistari, Caravaggio ishte aq i vetëdijshëm sa çdo artist mund të ketë qenë ndonjëherë.

Një pikturë ka potencialin të tejkalojë kufizimet e një sipërfaqe statike dhe të bëhet platformë për tejkalim. Ndërprerja në endjen e kashtës që në mënyrë subliminale tërheq vëmendjen dhe formon papritur peshkun “Ichthys”, simbolikë e lashtë krishtere.

Sipas traditës së hershme kishtare, emblema Ichthys, e cila daton që nga shekulli II si një shenjë e besimit të krishterë, u përdor si një lloj riti në të cilin pasuesit shtrëngonin duart në fshehtësi. Për të qenë i sigurt se dikush ishte në shoqërinë e një kishtari tjetër, një hark gjysmë rrethor vizatohej në tokë.

Nëse atij gjesti i bashkohej një hark tjetër-duke formuar kështu skicën e peshkut-riti i heshtur i njohjes së sundimit të Krishtit konsiderohej i dyanshëm.

Lexo edhe:

Caravaggio, zjarrmëtari i penelit dhe aventurave, gjeniu i dritëhijes në pikturën e barokut

ObserverKult