Simon Rrota, piktori që i jetoi të gjitha kohët, nga monarkia te “Njeriu i Ri”

Nga Ruben Shima

Historia e artit në Shqipëri zakonisht paraqitet pa paraardhës dhe ndoshta pa pasardhës. E tashmja e ka të pamundur të eksplorojë apo nënvizojë çështjet e së shkuarës, kërkimi në historinë e artit nuk ekziston. Ekspozitat janë të zbrazura, pa gjurmë konceptesh historike, të njëjta në paraqitje si gurë dominoje, që shtyjnë njëri-tjetrin në rresht për një. Në këtë mjedis të zymtë artistik, pjesëmarrja para pak kohësh në promovimin e botimit monografik të piktorit Simon Rrota, shkruar prej studiueses Suzana Varvarica, ishte një ngjarje me vlerë për të gjithë ata, që janë të interesuar në lëmin e historisë së pikturës në Shqipëri. Një libër, një kërkim i vlefshëm, trajtuar në formë jetëshkrimore, që shkund disi pluhurin e harresës historike, e cila prej dekadash mbuloi krijimtarinë e një prej piktorëve të parë shqiptarë, Simon Rrotës. Artist, që përfshin në vetvete një dikotomi, një kontrast të fortë mes amatorit dhe profesionistit, mes romantizmit fëmijëror dhe avitjes realiste në pikturë. Pikturë që manifeston në thelb vonesën e skajshme historike, në raport me zhvillimet e artit europian. Si në një eksperiment laboratorik shkak–pasojë, vonesa historike tjetërsohet në veti, në tipar dallues, që paracakton fillesën e pikturës dhe historisë së artit shqiptar. Konstante kjo, për gjithë grupin e aventurierëve pionierë, amatorë dhe profesionistë, të shkolluar ose jo, që lëvruan pikturën, arkitekturën, fotografinë, nga fillimi i shek. XX deri në periudhën mes dy luftërave botërore. Dhe, në mënyrën e tyre të pazakontë, shënjuan fillimin e historisë së artit në vend.

“Pusi i fshatit”, 1934
“Pusi i fshatit”, 1934

Krijimtaria e piktorëve udhëçelës të pikturës shqiptare, përfshirë edhe veprën e Simon Rrotës, fillimisht u trajtua si nënprodukt piktorik. U ligjërua si folklorike, u konsiderua e padobishme prej gjeneratës së piktorëve të rinj, që kishin marrë përsipër të ndërtonin virtualisht, me penel dhe bojë, socializmin dydimensional. Më pas, trajektorja historike do të ndryshonte nën një dritë të re zhvillimesh politike rreth fundit të regjimit. Piktura e Rrotës u pa dhe shfrytëzua si material ilustrativ, një lloj lënde plehëruese për përforcimin e idesë nacionaliste dhe fiksioneve të saj.

Subjektet e pikturuara prej tij si Skënderbeu dhe betejat e tij, malësorët, gratë me veshjet shumëngjyrëshe, që popullonin peizazhet e një toke të begatë, përputheshin me nevojat e makinës propagandistike të kohës. Ato shërbenin si shtresa imazhesh mbivendosëse për projektimin e klishesë së shqiptarit të papërkulshëm, trashëgim historik i “Njeriut të Ri”.

Duke sajuar një histori arti identike me historinë politike zyrtare të regjimit diktatorial, vepra e Simon Rrotës dhe periudha e bashkëkohësve të tij, si Kolë Idromeno, Spiro Xega, Zef Kolombi etj., u cilësua zyrtarisht si “Arti i Rilindjes Kombëtare”. Puna e tyre u paraqit si një përpjekje për ngjizjen e ideve kombëtare dhe atdhetare të një grupi patriotësh me penel në dorë për çështjen shqiptare. Një stereotip banal, që retushoi dhe transformoi faktin historik në përrallë.

 TABLO E PIKTORIT SIMON RROTA
TABLO E PIKTORIT SIMON RROTA

Por e vërteta e papërshtatshme për historinë e djeshme dhe ndoshta dhe të sotme, është sa e thjeshtë aq edhe njerëzore; piktorët e fillimshekullit XX, përfshirë dhe Simon Rrotën, ishin zanatçinj të lirë, komerçantë që tregtonin dhe nxirrnin jetesën në sajë të profesioneve si piktura, fotografia, prodhimi i kartolinave dhe gjithçkaje tjetër që mundësonte zeja e artit dhe prej së cilës mund të fitoje para. Pikturonin sipas kërkesave dhe porosive; nga Skënderbeu në kalë, tek Ahmet Zogu po në të njëjtin kalë; nga portrete të ushtarëve të huaj, te portretet e çifteve të martuara; nga gratë me veshjet tradicionale, te peizazhet idilike me mjellma dhe ujëvara.

Subjektet e pikturuara diktoheshin më së shumti nga kërkesat e kohës dhe trendet e saj. Nuk kish alternativë tjetër në një vend ku piktura duhej të shpikej nga e para. Liria artistike as ndihmonte dhe as hynte në punë. Marrëdhënia e artit me pushtetin dhe tregun vazhdon të jetë problem edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Në periudhën kur jetoi dhe punoi Rrota, puna e tij orientohej dhe diktohej në përmbushjen e kërkesave dhe porosive të shtresës së borgjezisë orientale shqiptare. Subjektet, personazhet dhe cilësia piktorike e veprës së tij është e njëtrajtshme me mendësinë kulturore të Shqipërisë së atyre viteve. Krijimtaria që la pas duhet parë dhe mirëkuptuar gjithnjë në kontekst historik dhe zhvillimor të një shoqërie, që sapo kish filluar të ndryshonte jetesën primitive stërgjyshore. I tillë ishte Simon Rrota, një artizan, që deri në fund të jetës e ushtroi pikturën si zeje pavarësisht kohëve që jetoi: monarki, fashizëm, socializëm. Vite me parë, gjatë një kërkimi në Arkivin Qendror hasa në një jetëshkrim të Kolë Idromenos, shkruar në 1961 prej Lec Çobës, një material biografik, i cili ende pret dritën e botimit prej gjysmëshekulli. Tek e shfletoja, më tërhoqi vëmendjen një bisedë ndërmjet dy piktorëve shkodranë, ku Kolë Idromeno i drejtohej me fjalë lehtësuese Simon Rrotës: “Simon, qëndro i fortë, mos u demoralizo, se do të vijë zamani një ditë edhe për punën tonë”. Si për ironi të fatit, zamani për këtë burrë zamani nuk erdhi as nga koha e Partisë e as nga institucionet e artit apo nga ndonjë përpjekje e familjarëve të tij, por nga dy koleksionistë të vëmendshëm, Kozma Dashi dhe Leonidha Çobo, të cilët me kushtim mbështetën dhe financuan botimin e gjerë dhe të hollësishëm të veprës së tij. Dëshira për të koleksionuar veprën e Rrotës, shpejt u zëvendësua nga interesi në hulumtimin e historisë, kohës në të cilën jetoi dhe ndikimeve të ndryshme në pikturën e tij. Krejt ndryshe nga mendësia tipike e koleksionistit fillestar, i cili nuk e tejkalon dot vetveten në nevojën mburravece për të poseduar një vepër arti thjesht për status shoqëror, financuesit e këtij botimi kuptuan se ish në interesin publik, në dobi të kërkimit artistik, zbulimi i plotë i veprës së harruar të Simon Rrotës.

Dy dekadat e fundit të jetës Rrota i kaloi nën regjimin diktatorial. “Revolucionin popullor” e përjetoi i tërhequr dhe relativisht në moshë të thyer. Traditat, kultura, feja, familjet dhe burrat e zëshëm të kohës së tij po zhdukeshin nga tabloja e madhe e historisë, gjithçka kish besuar më parë po përmbysej me shpejtësi. Në kushtet e reja të krijuara provon t’i qaset “artit të pushtetit të popullit”. Gratë e dikurshme me kostumet shumëngjyrëshe pikturohen ulur bythë pemës, duke lexuar gazetën. Si në mrekullitë biblike, fshataret e djeshme analfabete të Rrotës shndërrohen në lexuese të rregullta gazetash, të interesuara për përparimin socialist të vendit. Kjo përshtatje me kërkesën zyrtare evidentohet edhe në tema të tjera, të pikturuara, si në tablotë: “Ndërtimi i fshatit të ri” apo peizazhin “Në stacionin e traktorëve”. Pavarësisht përpjekjeve rishtare për aderim në realizmin socialist, marrëdhënia e Rrotës me këtë art ishte një dështim mbresëlënës. Mënyra e të pikturuarit, botëkuptimi dhe formimi i tij akademik nuk ia mundësonte as domethënien e as pajtimin me dogmën e realizmit socialist. Piktura e tij ishte e dhënë pas detajit dhe subjekteve si familja, objektet familjare, gratë me kostumet tradicionale, malësorët në peizazhin intim, pjesë e një bote të humbur dhe të harruar. Piktura e tij ishte krijuar për soditje, për përhumbje, tipare diametralisht të kundërta me artin e ri. “Njeriu i Ri” nuk mund të humbte në lojërat dhe hilet e detajit apo të zhytej në mendimet e një bote të vjetër. Për artin e realizmit socialist, mesazhi politik ishte qëllimi parësor dhe final. Arti ishte shndërruar në mjet propagande, përçues ideologjik, përhapës dhe mbështetës i qëllimeve të partisë-shtet. I tërhequr, Simon Rrota kuptoi se koha e tij përfundoi para jetës. Perdja u ul në vitin 1961.

Me vdekjen e tij, një udhëtim i ri do të niste. Ai nëpër historinë e shkurtër, por të ngatërruar të pikturës shqiptare./panorama