Historia e një fotografie të vitit 1979, kur Shqipëria ishte komuniste

Foto ilustrim

Nga Ylli Demneri

Më kujtohej shumë mirë kur kishte ndodhur ajo shkrepje aparati. Ishte shtator i vitit 1979. Për studentët e ILA-s, muaji shtator ishte, si zakonisht, muaj aksioni. Atë vit na kishin dërguar në Zejmen të Lezhës për ndërtimin e hekurudhës (aty, në Zejmen, kam parë, për herë të parë, të burgosur që shkonin e vinin nga puna të shoqëruar me policë e qen).

Një ditë, ndërsa punonim për ngritjen e trasesë (kazma, lopata karroca e tokmak), shikojmë një fotograf «të jashtëm», po aq i rrallë sa edhe avionët e huaj në qiellin shqiptar, që po vinte drejt nesh i shoqëruar nga «shokët» e Sigurimit. E pamë nga larg. E kush do guxonte t’i afrohej e, për më tepër, t’i fliste ? ! (Kurrë më parë në historinë e Shqipërisë, shqiptarëve nuk u ishte ndaluar kontakti me të huajt si nën regjimin e Hoxhës).

Fjala hapet e marrim vesh që ishte gazetar e që do të shkruante një reportazh mbi Shqipërinë «në një revistë shumë të njohur në botë». Kjo, as na ngrohu, as na ftohu. Ishim aty si bagëtia, të pagojë si misrat e mbjellë pranë nesh. Mund të na fotografonin si të donin. Atë punë e dinte Partia. Ndërsa lamë punën e po shihnim që flisnin me duar e me këmbë, drejt meje vjen Misto Zoto, atëherë sekretar partie, dhe më thotë që të marr flamurin e kuq e të bëj sikur e ngul në tokë. Ashtu bëra.

Fotoreporteri iku dhe ne vazhduam punën në atë vrimë të quajtur Zejmen. Pa asnjë koment, pa asnjë kontakt. Si të burgosur. Dhe pa as më të voglën shpresë se do të mund ta shihja një ditë fotografinë. Botët ishin të ndara.

Vite më vonë, shumë vite më vonë, Kastriot Çipi më dërgon një e-mail, ku më kërkon adresën time në Francë, duke shtuar se do të më bënte një surprizë. Kur hapa zarfin pashë një revistë në anglisht, të shqyer, të ndotur, të djegur anëve dhe menjëherë mendova se do të ishte ndonjë shaka, por duke e shfletuar ndesha në fotografinë e bërë para gati 15 viteve! Surpriza ishte e pamatë. Revista National Geographic e muajit tetor 1980. Kastrioti më shpjegonte se e kishte gjetur në oborrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ditët kur ra hoxhizmi. Mora vesh që fotografi quhej Mehmet Biber.

Interesant, në këtë fotografi ku shfaqet edhe zotësia e fotoreporterit, është fakti që ai pranon mizanskenën e shokëve të Partisë (unë, i riu revolucionar që ngul flamurin), por zgjedh pikëvështrimin dhe objektivin e duhur duke e bërë planin e dytë (ata që janë mbrapa meje), më shprehës. Ky plan flet më shumë: një pamje e trishtuar që të kujton të dënuarit me punë të detyruar, mjete pune të një epoke tjetër, të rinj që shikojnë me shpërfillje (duke menduar se nuk janë në objektiv) këtë mizanskenë të stilit kinez (por pa buzëqeshjet). Megjithë survejimet, ai fotografon realitetin, dhe jo atë imagjinarin ku jetojnë shokët e partisë. Pamje të tilla sot i gjen vetëm në Korenë e Veriut.

Në hyrje të reportazhit shkruhet: «Të realizojmë të gjitha detyrat e të shpartallojmë bllokadën deklaron një parullë në qytetin shqiptar të Shkodrës – por izolimi i Shqipërisë prej botës është thjesht rezultat i politikës së saj të brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga shtete që historikisht kanë pasur ambicje për tokën e saj, Shqipëria është organizuar në një mënyrë të tillë që t’ia dalë vetë, nën diktatin e rreptë të Enver Hoxhës që qëndron në fuqi prej 36 vjetësh.

Simbole të kazmës dhe të pushkës mbizotërojnë në vendet publike. Hoxha, një dogmatik marksist-leninist, me 1961 i preu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, që e konsideroi “revizionist”, dhe forcoi lidhjet me Kinën dy vjet më vonë.

Rruga për t’ia dalë mbanë i vetëm është një rrugë e vështirë. Makinat në këtë vend janë të ndaluara, ndaj shqiptarëve u bie që të shkojnë kësaj rruge hipur në biçikletë.

Vizitat e gazetarëve janë krejt të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, nje fotograf turk që jeton në Stamboll, mundi të siguronte një vizë vetëm pak muaj pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit kishte mbaruar një vizitë atje. Nga bisedat me Z. Kohen dhe përshtypjet e veta personale, Z. Biber na solli këtë reportazh, i cili është i pari reportazh i plotë për Shqipërinë që botohet në revistat amerikane, prej shumë vitesh.»

Artikulli vazhdon i ilustruar me fotografi të tjera nga Shqipëria e asaj kohe.

* * *

Një ditë, në një nga libraritë pranë vendit ku punoj, gjeta të njëjtin numër të revistës National Geographic, por kësaj here krejt të ri. E bleva (këtej është marrë fotografia që kam vënë). Në ato qindra e mijëra librari pariziane, u desh të shkoj aty ku duhej për të gjetur një kopje tjetër të revistës!

Por atë që më dërgoi Kastriot Çipi e mbaj të futur në një zarf. Ajo ruan emocionet e para. Ashtu, me «plagë».

10 prill 2013

ObserverKult


dy gabime
Foto ilustrim

Lexo edhe:

HAIKU, VARGJE JAPONEZE QË SHQIPTARI YLLI DEMNERI I SJELL NGA PARISI

Ylli Demneri prej vitesh jeton në Paris. Aty ku edhe u magjeps me Haikun, një lloj poezie japoneze që ai rreket të na i prezantojë.

Ndonëse nuk është vëllimi i parë i këtij lloji, qasja e Demnerit drejt kësaj poezi të veçantë sa vjen e josh më shumë atë. Por edhe lexuesin shqiptar, transmeton ‘a2news.com’.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult