Nga Simone de Beauvoir
Ankthi i tij më vajti drejt e në zemër dhe e dëgjoja pa armiqësi. Sigurisht, ai kishte gabuar që më kishte gënjyer, por duhej ta kuptoja; ngurrimi i parë ishte si ortek: “Nuk guxoja të ta thosha, sepse duhet të pranoja gjithashtu se të kisha gënjyer. Pengesa është e pakalueshme edhe për njerëz si ne që e vlerësojmë kaq shumë sinqeritetin.” (E pranoj, kushedi me ç’këmbëngulje do të kisha gënjyer për të fshehur një mashtrim.)
Kurrë nuk i kam pranuar gënjeshtrat. Gënjeshtrat e para të Lysienës dhe të Koletës më prenë krahë e këmbë bashkë. E kisha të vështirë të pranoja se të gjithë fëmijët e gënjejnë nënën. Jo mua! Nuk jam një nënë që mund ta gënjesh; as një grua që gënjehet. Krenari budallaqe. Të gjitha gratë mendojnë se janë ndryshe; të gjitha besojnë se disa gjëra nuk mund t’u ndodhin atyre dhe të gjitha e kanë gabim.
Kam menduar shumë sot. (Jam me fat që Lysiena është në Amerikë. Do të më duhej të shtiresha. Nuk do të më linte të qetë.) Fola edhe me Izabelën. Si gjithmonë, ajo më ndihmoi. Kisha frikë se mos e kuptonte gabim situatën, sepse ajo dhe Çarli janë për lirinë dhe jo si Morisi dhe unë për besnikërinë. Por kjo nuk do të thotë, siç më tha ajo vetë, se nuk është zemëruar me bashkëshortin e saj, apo se nganjëherë nuk është ndier në rrezik: pesë vjet më parë ajo kishte menduar se ai ishte gati për ta lënë. Më këshilloi të kisha durim. Ajo ka shumë respekt për Morisin.
Është e natyrshme që ka dashur një aventurë, e falshme është edhe që, fillimisht, ma kishte fshehur; por me siguri atij do t’i mërzitet shpejt. Çka i jep kuptim kësaj ndodhie, është risia, por koha punon kundër Noelísë; rëndësia që ajo mund të ketë tani në sytë e Morisit, shpejt do të venitet.
Në qoftë se unë dua që dashuria jonë të mos preket nga kjo ngjarje, nuk duhet të luaj rolin e viktimës apo të shtëpiakes histerike. “Duhet të tregosh mirëkuptim, të jesh e gëzuar. Mbi të gjitha të jesh miqësore,” – më tha ajo. Në këtë mënyrë e kishte rifituar Çarlin. Durimi nuk është virty mbizotërues.
“Shkëputur nga libri i Simone de Beauvoir “Gruaja e thyer”, përkthyer nga Amantia Kapo
ObserverKult
Lexo edhe: