Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me fondacionin “Henrietta Leavitt” organizoi Simpoziumin “Quo vadis humanitas”(Ku shkon njerëzimi) dedikuar shkencëtarit nobelist austriak Erwin Schrödinger, si një homazh dhe për 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të fizikanit dhe shkencëtarit, i cili përpunoi bazat e teorisë moderne të mekanikës kuantike dhe me kërkimet e tij kundërshtoi në mënyrë të përsëritur Interpretimin e Kopenhagenit mbi Mekanikën Kuantike. Erwin Schrödinger është fitues i Çmimit “Nobel” në fizikë (1933), transmeton ATSH.
Fizikanti gjenial, bashkëkohës i Plank, Einstein, Bor, tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor edhe me librin e sipërcituar, ku ai promovoi idenë e studimit të organizmave të gjalla me mjetet e fizikës, duke parashtruar idetë e vizionin e tij për të studiuar biologjinë e jetës nga perspektiva e fizikës, qysh në vitin 1944. Kështu ai ishte i pari që sugjeronte të studioheshin organizmat e gjalla në termat e strukturës molekulare dhe atomike.
Akademik Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë çeli simpoziumin me fjalën e mirëseardhjes, ku pasi uroj pjesëmarrësit dhe veçanërisht znj. Nathanaili si ideatore e kësaj veprimtarie e si përkthyese e librit të Schrodinger në shqip, theksoi:
“Ky simpozium është i veçantë për temën e tij aq intriguese: “Ku shkon njerëzimi?”, pyetje kjo e shtruar para njerëzimit që në origjinën e tij e që në çdo kohë ka marrë e merr përgjigje të ndryshme dhe çdo herë, përgjigjja ka më shumë të panjohura se vetë pyetja.
Pa dyshim idetë e Schrodingerit, të shtruara në librin e leksionet e tij mbi jetën, sollën në mendimin shkencor të kohës ndryshime kopernikane. Ato tronditën rëndë kufijtë e disiplinave, duke shembur kufijtë midis botës së gjallë dhe botës tjetër, duke relativizuar kufijtë midis tyre.
Zbulimet e idetë e mëdha prishin rehatinë mendore, cenojnë status quo-të, ndryshojnë rrjedhat e mendimit shkencor, bëhen shkak për ndryshime rrënjësore, për ide e qasje të reja. Të tilla kanë qenë për dekada me radhë idetë e Schrodingerit.
Pyetjet e idetë e tij janë edhe sot po aq aktuale. Raportet e njeriut me natyrën kanë ndryshuar, mendja e njeriut siç dihet arrin të dyfishojë trashëgiminë intelektuale të njerëzimit në harkun e dhjetë vjetëve, në saj të tyre kanë lindur sendet me tru dhe gjithnjë e më shumë ato kërkojnë të konkurrojnë e të sfidojnë vetë krijuesin e tyre, mbartësin e vetëm të mendimit, homo sapiensin.
Krahas këtyre zhvillimeve mahnitëse, njerëzimi dhe shkenca po përballen dhe me shumë sfida, pasi kanë prekur në zona delikate, si modifikimi gjenetik, vet kodin e jetës, pasi ndërkohë që mendohet të organizohet turizmi në Hënë, njerëzimi sfidohet këtu në Tokë nga shumë rreziqe të padukshme, si virusi Sars COV-2 e këto sfida, e kontraste bëjnë që gjithnjë e më të pashmangshme të jenë pyetjet: Çfarë është jeta? Si do jetë jeta? Ku shkon Njerëzimi?
Pyetje, të cilat i ka shtruar e u ka dhënë përgjigje si askush më parë nobelisti Schrodinger me librin e tij. Prandaj ardhja e veprës së tij në shqip, qoftë dhe me vonesë, është shumë e mirëpritur. Lexuesi shqiptar ka nevojë për të, e veçanërisht kërkuesit e rinj” –tha Gjinushi.