Sjellja që praktikojnë prindërit por që mund të ndikojë shëndetin mendor të fëmijëve të tyre

Nuk është gjithmonë e mundur të parashikojmë se si do të zhvillohet rrugëtimi psikologjik i një fëmije, por kërkimet tregojnë se mënyra se si prindërit i qasen edukimit luan një rol kyç në mirëqenien mendore të fëmijës në të ardhmen.

Fëmijëria mbetet një periudhë thelbësore, ku faktorët mjedisorë, emocionalë dhe edukativë ndikojnë në formimin psikologjik të individit, edhe pse jo e vetmja – faktorët gjenetikë dhe përjetimet e mëvonshme janë po ashtu të rëndësishme.

Një studim i publikuar në Journal of Clinical Psychology analizoi ndikimin e qasjeve kërcënuese të prindërve te fëmijët… dhe ndikimin e mëvonshëm në ankthin e të rriturve. Studimi përfshiu 900 studentë të moshës 18-24 vjeç dhe zbuloi se sjelljet autoritare dhe kërcënuese nga prindërit, veçanërisht nga nëna, lidhen me ndjenjën e pafuqisë tek fëmijët, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e simptomave të ankthit në moshë madhore.

Autorët e studimit theksojnë se ekspozimi i fëmijëve ndaj presionit të vazhdueshëm apo kërcënimeve psikologjike nuk është thjesht një çështje disipline, por mund të ketë pasoja afatgjata në ndërtimin e vetëbesimit dhe rregullimit emocional. Ndaj, prindërit inkurajohen të përdorin metoda më të buta, mirëkuptuese dhe të balancuara në edukimin e fëmijëve, për të ndërtuar themelin e një shëndeti mendor të qëndrueshëm në të ardhmen.

ObserverKult


Lexo edhe:

SI E PARASHIKONIN FUNDIN E BOTËS, FILOZOFËT DHE MITOLOGJIA E LASHTË GREKE