S’kam dashtë kurrë me besu që m’ke harru…

Foto ilustrim

S’kam dashtë kurrë me besu që me ke harru, ani pse jeta asht herë parajsë e herë ferr. A e kupton që lindim tuj kja, e tuj kja vdesim, veç jetojmë si duem na, si na merr rrota e fatit, rrokopuja e jetës.

arjola zadrima

Arjola Zadrima

Këto 20 vite heshtjet e mia nuk ngjajnë, zhurmat po. Kam njohë ulërima nga ma të ndryshmet, sy që tjetërsohen, duer të nervozume, diku në ngjitje shkamijsh ndjeja frikën. Ti nuk ishe.

Kam preferu me mendu që nuk ke ekzistu ndonjiherë. Kishte ditë aq të vështira sa fillova me kuptu se të kisha shpikë. Dhe ishte prej mend e vërtetë, në memorien teme kisha skalitë një mit.

Ndoshta më duhej një pikë referimi qetësie shpirtnore. Më të rrëfy 20 vite nuk asht e lehtë, sepse mbas rrëfimit ka shumë mundësi që s’do të due më jetu ma, shpesh ndjehem 100 vjeç, ditë – ditë më çalon koha edhe jam.

Gjithmonë kam mendu se dashnia asht e shenjtë, njësoj e besoj, jam rritë me sytë e time bije, me kaçurrelat e saj mësova erën, tim biri ja njoh mirë aromën.

Ata e dinë që unë jam nana, e ndjejnë, e kuptojnë. Shpesh mendojnë se nana asht një mal i fortë që u ban ballë stuhive në kambë, deri që bjen mramja.
Edhe nanat struken diku, flenë kruspull, e zgjohen me natë. Mjafton një mendim në krye si orë pa zile.

Këto 20 vite isha nana, ajo grueja e vogël me jetën në shpinë.

Kam besue se rrugët e botës ku vërtitesh nuk ngjajnë me zemrën, dhe të kam mendu të lumtun, në qiellin e një ishulli që nuk ekziston.
Ne nuk ngjajmë, e tuj e mendu thellë nuk kemi ngja asnjiherë, por…
Se mbas çdo definicioni vjen një por, jo sipërfaqësore, e thellë si një oqean ndoshta apo det ku anijet vërtiten në fatin e vet.

S’kam dashtë kurrë me besu që me ke harru, ani pse jeta asht herë parajsë e herë ferr. A e kupton që lindim tuj kja, e tuj kja vdesim, veç jetojmë si duem na, si na merr rrota e fatit, rrokopuja e jetës.

Nuk di me stivu mendime, më kujtohet që të kam dashtë, dersa ike, ike e një Zot e din sa herë kam kthy kryt mbas, me t’i gjetë kujtimet. Aromën me ta nuhatë, a vazhdon me kenë njësoj në tanë këto vite?
Por koha nuk fal, veç unë e ti falim çka nuk bajmë. Veç unë e ti kemi një zemër 20 vite ma të re, e nuk e dimë ma as si rrah, me një frikë në asht, a rrah për ne?

Më fal nuk të kuptova kurrë, di që shpesh jeton edhe kaosin tem, veç brenda dashnisë teme kaq të ndryshme prej tandes nuk ke provu me jetu.

Unë nuk du me të ngja, s’do kishte kuptim, du me kenë aty kur të flet pak trishtim, du me të pa tuj fluturu, a ndoshta tuj andrrue, më njih…
Du që të jesh po kaq unik, me gjithçka që je, më mëso me të kuptu.
E ndërkohë më kenë e më të dashtë pa të ndryshu.
A e ke vu re sa kohë ka kalu pa ne?

ObserverKult

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: TI ISHE DASHNIA E TANA DASHNIVE