Skenari i filmit “Vdekja e kalit” ndryshoi, aktori e bëri sipas kokës së tij

Aktori Niko Kanxheri erdhi në një rrëfim të rrallë, mbi fëmijërinë, vitet në Institutin e Arteve, njohjen me bashkëshorten, jetën e vështirë në Tiranë, punën në Radiotelevizion, rolet e spikatura dhe krenarinë për fëmijët e sidomos për një film.

Niko Kanxheri ka transmetuar gjithmonë hijen e një personaliteti të fortë. Gjithmonë shumë i rezervuar, i drejtpërdrejtë në mendimet e tija, por me një humor djegës. Nuk ka portret skenik ti ngjajë Niko Kanxherit.

Rolet në film kanë qenë të gjitha shumë karakterialë dhe fizionomia shumë specifike. I përket “shkollës korçare” të aktorëve të njohur dhe është shumë korçar edhe në koloritin e fjalorit.

Në këtë rrëfim të bërë kohë më parë, Niko Kanxheri, pranoi të linte mënjanë jetën shumë të tërhequr me bashkëshorten e miq të paktë, e të jepte një panoramë të gjerë si rrallë më parë.

-Por roli ku ju keni goditur më fort, është tek filmi “Vdekja e Kalit”…

– Është një rol shumë i dashur për mua. Por ai film nuk do të kishte atë fund të dhimbshëm e të goditur që ka. Në skenarin e Nexhati Tafës, Agroni vjen vërdallë në një shesh bosh të Tiranës dhe kjo u xhirua. Të nesërmen, unë gjej në kafe Saimir Kumbaron, shok kursi dhe regjisor i filmit. Kisha trurin dhe shpirtin e mbushur. “Saimir, çu bë ai Agroni, ku u zhduk ai? Po ai maskarai ku u zhduk ai?- i thashë atij. “Aman, o Niko, se nuk do fillojmë me xhirimet prapë tani!” – më përgjigjet normalisht, i lodhur nga xhirimet. “Epo unë nuk jam dakord”- ia pres me nerv. Ndër të tjera, gjatë debatit, më thotë: “Jo, po ta bëjmë deputet tani atë maskarain”. “Pse, jo!”- dhe ngrihem e largohem. Në darkë më bie telefoni. Ishte Saimir Kumbaro të cilit mesa duket i qe ndezur drita në kokë. “Niko, ke kostum të errët? Bëhu gati, nesër ke tërë ditën xhirim. Do japësh intervistë si deputet, do shkosh të marrësh bileta në agjenci udhëtimi, do bërtasësh liri demokraci në një tufë njerëzish e do takohesh rastësisht me Agronin në shkallët e universitetit.” Ja, kjo skenë ndryshoi filmin e aty kuptova që Saimir Kumbaro ishte tamam regjisor, ai reflektoi. Unë kam bërë shumë filma, por atë më të tmerrshmin personazh, ma kujtojnë të gjithë.

– Në morinë e tërë kësaj jete, mes RTSH-së dhe filmave, ku e njohe shoqen e jetës?

– E njoha në Tiranë. Sebep apo ndihmës u bë një shok që ishte nga e njëjta zonë e Korçës nga është ime shoqe. Erdhi një moment që vendosa të mblidhesha dhe isha mbi të tridhjetat. Thjesht e vendosa të mos isha më pa vatrën time. Doja një grua nga vendi im. Kisha shumë mundësi të vija gishtin kudo në Tiranë, por unë preferova ta kisha nga rrënjët e mia. Pas mbarimit të shkollës, nusen time të ardhshme e kishin emëruar në Lozhanë të Korçës. Sajoj një shërbim për aty. Në kokën time e kisha vendosur, pasi kisha pyetur shumë për të dhe familjen e saj. Kur mbërritëm i them shoferit: “E shikon atë bionden aty? Që po luan volejboll me shoqet? Ja për atë kemi ardhur”. Ca ditë më vonë mora lejen e zakonshme që jo vetëm ta bisedoja me të afërmit e saj, por që të martohem menjëherë, duke hasur në befasinë e palës tjetër. Ne më pas kemi jetuar në një dhomë 3 me 3, me kushte të tmerrshme, për disa vite. Në këtë dhomë, pjesë e një apartamenti për beqarët, ku jetonim më parë me disa djem nga RTSH-ja, lindi djali im, i cili flinte në një shtrat të sajuar me dy karrige. Unë dhe ime shoqe flinim në një krevat tek, si letrat e bixhozit. Ime më, si grua e fortë që ishte, kur pa si jetonim, më shau shumë e mori djalin dhe gruan disa muaj në Korçë.

– Pra, keni nisur familjen me shumë vështirësi?!

– Fatmirësisht, Vali, ime shoqe, filloi punë në poliklinikën 9-të, por ishim keq për shtëpi! Unë punova si vullnetar në disa pallate, i zhytur në baltë deri në mes, por shtëpi nuk më jepnin, sepse u jepeshin anëtarëve të partisë. Një ditë mora guximin e hyra në mbledhjen e partisë dhe shpërtheva: “Niko Kanxherit do t’i jepet shtëpi pas vdekjes?!” Kisha maraz, kisha dhimbje. Por pas shumë peripecish, m’u dha shtëpi dhe nga gëzimi, më kujtohet, më ra të fikët. Ja, këto ishin sakrificat./revista-ai.com

ObserverKult

Lexo edhe:

ÇFARË SHKRUANTE ENVER HOXHA NË DITARËT E TIJ?