Nga Aristotle Spiro
Me dhimbje të thellë dhe trishtim të pakufishëm, i japim lamtumirën njërit prej njerëzve më të veçantë që patëm fatin të njohim dhe të ndajmë rrugëtimin e jetës – mikut tonë të shtrenjtë dhe bashkëstudentit tim të paharruar, Skënder Karriqi. Vdekja e tij e papritur na ka shokuar dhe ka lënë ndër ne, miqtë, familjarët dhe kolegët e tij, një zbrazëti të thellë. Skënderi nuk ishte thjesht një njeri i zakonshëm. Ai ishte një shpirt i madh, plot pasion për dijen, kulturën dhe njerëzit. Nga koha kur u njohëm gjatë studimeve tona (1982-1986) në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ai dallohej për temperamentin e tij impulsiv, për dashamirësinë e pakufishme dhe dëshirën për të bërë mirë.
Skënderi ka qenë një student i përkushtuar dhe shembullor, por mbi të gjitha ishte një mik i dashur që i dha kuptim fjalës “miqësi”. Ai kishte një shpirt të pastër dhe të hapur për të gjithë, dhe gjithmonë u gjendej pranë të tjerëve me përzemërsi. Pas përfundimit të studimeve, ai u bë një mësues i shkëlqyer, duke lënë gjurmë të thella në çdo institucion arsimor që shërbeu. Më shumë se dije, ai u dhuronte nxënësve të tij dashuri për mësimin dhe për jetën.
Por arsimi ishte vetëm një nga fushat ku ai shkëlqeu. Dashuria e tij e madhe për letërsinë dhe kulturën e lashtë greke e udhëhoqi drejt një rrugëtimi të thellë akademik, që i dha jetës së tij një dimension të veçantë. Ai ishte një studiues i përkushtuar që nuk ndalej kurrë së kërkuari më shumë. Pasioni i tij për Prometeun dhe mitologjinë greke e frymëzoi të zhvillonte një qasje teorike të veçantë, që ai e quajti “prometeizëm”, duke sjellë kështu në kulturën shqiptare një perspektivë të re dhe të guximshme.
Ishte gjithmonë në kërkim të së vërtetës dhe kuptimit të thellë të fjalëve. Kujtoj me mall bisedat tona të gjata për përkthimin e veprave klasike, veçanërisht për përkthimin e “Teogonisë” së Hesiodit. Ai kishte një talent përkthimor, falë të cilit solli në shqip me kujdes dhe përkushtim tekste të lashta greke, duke u përpjekur të ruajë jo vetëm fjalët, por edhe shpirtin e tyre. Sa i lumtur ishte kur ia vlerësoja përpjekjet e tij të palodhura! Ai nuk kërkonte thjesht lavdërime, por vlerësim të sinqertë për një punë të bërë me dashuri dhe përkushtim të thellë.
Një nga ëndrrat tona të përbashkëta ishte të bënim një udhëtim në gjurmët e rrugës së lashtë Egnatia, të shihnim rrënojat dhe varret e hershme të Selcës, një udhëtim ku historia do të na fliste nga thellësitë e kohës. Por fati kishte ruajtur për Skënderin një udhëtim tjetër, shumë më të gjatë dhe të dhimbshëm – udhëtimin e fundit të jetës së tij. Nxitimi i tij për të udhëtuar drejt përjetësisë na la të gjithë të papërgatitur.
Nxitove të largohesh, Skënder! Vdekja erdhi pa paralajmërim, si në baladat e vjetra, dhe të thirri papritmas: “Eja me mua tani!” “Si mund të vij? – i the. – Më duhet të përgatitem”. “Eja ashtu siç je”, të tha ajo, ashtu si në baladën e moçme të vëllait të vdekur.
Tani ti po shkon drejt Hadit, në një udhëtim të ri, një udhëtim që të çon drejt përjetësisë. Atje ku të presin të parët e tu, por ndoshta edhe figurat e mëdha të letërsisë së lashtë që i deshe aq shumë. Në këtë botë të re, ti ndoshta do të takosh shkrimtarë dhe mendimtarë të mëdhenj, duke vazhduar bisedat dhe studimet që aq shumë i dashurove në këtë botë.
Me dhimbje të pafund, e përcjellin në këtë udhëtim bashkëshortja jote e dashur, Lume Karriqi, dhe dy vajzat e tua të shtrenjta, që do ta ndiejnë mungesën tënde çdo ditë. Zemrat e tyre janë plot me kujtimet e babait të dashur dhe një bashkëshorti të devotshëm. Por ti, Skënder, nuk do t’u mungosh vetëm atyre. Do t’i mungosh edhe jetës së gjithë komunitetit tënd, në Prrenjas dhe Librazhd, ku dhe gjithçka nga vetja për arsimin, kulturën dhe zhvillimin e këtij vendi.
Ti, Skënder, ke qenë njeri i rrallë, një mendje e shkëlqyer dhe një zemër e madhe. Një mik që nuk harrohet lehtë, një mësues që ke lënë gjurmë të pashlyeshme, një profesor e studiues që kontribuove me pasion për kulturën dhe dijen. Tani që udhëtimi yt tokësor ka përfunduar, kujtimi yt do të mbetet i gjallë në zemrat tona.
Udhëtim të mbarë drejt përjetësisë, miku im i shtrenjtë! Në botën tjetër, le të ndriçosh siç ndriçove këtu, mes librave dhe shpirtrave të mëdhenj.
Do të na mungosh gjithmonë, por kujtimi yt do të jetojë përjetë.
U prehsh në paqe, Skënder Karriqi!
ObserverKult
Lexo edhe: