Sohrāb Sepehri: Një lajm duke ardhur

Poezi nga Sohrāb Sepehri

Një ditë, do të vij dhe do të sjell një lajm.
Dritë do derdh në venat e tua
dhe zëlartë do thërras:
 “O ju, shportat e të cilëve janë plot ëndrra!
Ju solla mollën, mollën kuqaloshe të diellit ”.
Do të vij t’i jap një degë jasemini lypësit.
Gruas së bukur lebroze
të tjerë vathë do t’ i dhuroj.
Do t’i them të verbrit:
“Ah, ç’pamje e bukur
ky kopsht”!
Do të bëhem shitës shëtitës e në ecejakje rrugicave do bërtas:
“O vesë, vesë, vesë”!
Një kalimtar do të thotë: “Sigurisht që është një natë e terrtë”!  dhe unë,
një galaktikë do t’ i dhuroj.
Mbi urë,
një vogëlushe pa këmbë.
Do t’ i qarkoj qafës Arushën e Madhe.
Do largoj çdo fyerje
prej buzëve.
Do ta shemb çdo mur.
Hajdutëve do t’u them:
“Mbërriti një karvan plot buzëqeshje”!
Renë copash do ta bëj.
Do të lidh sytë me diellin,
zemrat me dashuri,
hijet me ujin,
degët me erën.
Do të bashkoj ëndrrën e foshnjës me zukatjen
e gjinkallave.
Do të ngre fluturimthi shumë shqiponja.
Do të ujis shumë saksi lulesh.
Do të vij tek kuajt e lopët e bar të freskët ledhatimesh do shkarkoj.
Do t’ i sjell kovën e vesës pelës së etur.
Gomarit të moçëm në rrugë, mizat do t’ia zboj.
Do të vij e në çdo mur
një karafil do të mbjell.
Në çdo dritare do të lexoj një poezi.
Do t’ i jap një pishë çdo sorre.
Do t’i them gjarprit:
“Ç’ vezullim ka bretkosa”!
Do të bëj paqe.
Do të bëj njohje.
Do të eci.
Dritë do të ha.
Do të dua.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult


Charles Bukowski e di...
Charles Bukowski

Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: UA KAM BËRË DO FORA

Poezi nga Charles Bukowski

pothuajse ç’prej se merrem me shkrime
me dekada të tëra
nuk m’u kanë nda
thashethemexhinjtë dhe përgojuesit
të cilët deklaronin
përditë
përjavë
përvit
se
më nuk mund të shkruaj
se tash kam rrëshqitur
dhe kam
rënë.

që në fillim kur zura të shkruaj
kishte shumë ankesa mbi
përmbajtjen e
poezive dhe tregimeve të mia.
“kujt ia ndien mbi jetën e përvuajtur e një
kloshari pijanec?
a është kjo e tëra mbi të cilën ai mund të shkruajë,
mbi kurvat dhe vjelljen?”

ndërsa tash
pakënaqësia e tyre është:
“kujt ia ndien mbi jetën e një
kloshari të
pasur?
pse nuk shkruan më mbi
kurvat dhe
vjelljen?”

Akademikët më konsiderojnë
të pagdhendur
ndërsa unë nuk jam shoqëruar me shumicën e
tyre.

ata pak njerëz që i njoh mirë nuk kanë lidhje
me poezi.

po ashtu ka pasur zili-urrejtje
te një pjesë e
bashkëshkrimtarëve
ama këtë e konsideroj si
një nga arritjet e mia më të
shkëlqyera.

kur së pari ia nisa kësaj loje të
rrezikshme
parashikoja se bash këto gjëra
do të
ndodhin.

le të shajnë ore:
po mos të isha unë,
do të ishte dikush
tjetër.

këta
përgojues dhe ankues,
në fund të fundit çka kanë
arritur?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult