Sokrat Habilaj: Do më pëlqente të flisja me yjet, sy më sy…

sokrat habilaj
Sokrat Habilaj

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

______

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Sokrat Habilaj

Nga: Xhemazije Rizvani

Përse i bëjnë lotët më të bukura gratë?

Ndoshta nuk është kaq e thjeshtë dhe mund të mos thuhet tamam kështu. Ndoshta ky përcaktim nuk është i saktë. Ajo që dihet është fakti se loti është produkt i shpirtrave të bukur. Le të flasim për atë nëse loti e bën një fytyrë të bukur, duke rrëshqitur në faqe, apo është ky imazh gruaje prej nga buron loti, i jep lotit nurin e vetë. Ne e pranojmë se loti i bën më fisnik sytë nga ku buron, po në rastin e një gruaje, problemi nuk është kështu. Imazhi i një gruaje qoftë edhe fizik, ka plotë gjëra të tjera që e bëjnë atë të bukur. Në vazhdim, më lejoni të përgjigjem ndryshe, duke i përjashtuar dilemat. Janë gratë ato që i bëjnë lotët më të bukur.

Një grua që loton, në një lloj mënyre, rivret veten. E rivret për një mision që vetëm ajo mund ta kryejë, apo thjesht ta deshifrojë. Ajo rivret veten që do të thotë loton, thjesht që bota, duke parë lotin e saj, të bëhet më e bukur. Ka raste që bota i anashkalon këta lot, duke humbur kështu rastin të bëhet më e bukur. Por edhe pse ndodh kjo, gratë dhe për rrjedhojë lotët e tyre, do vazhdojnë të jenë po aty, stoike, thjesht që bota të ketë edhe raste të tjera shansi, për t’u bërë më e bukur.

Çfarë u thua yjeve sy më sy?

Do më pëlqente të flisja me yjet, sy më sy, si thoni ju, dhe në fakt kjo ka ndodhur më shumë se në një rast. Ky është privilegj i artit poetik që ka aftësinë t’u jap yjeve imazh njerëzor. Ka ndodhur që biseda me një yll të jetë një zhgënjim i trishtë. Yjet janë yje, nuk bëhen aq lehtë njerëzorë që t’i ulësh në tavolinë. Biseda me yjet është e vështirë, për të mos thënë se është një pamundësi. Yjet janë përfytyrimi i monumenteve poetike të shpirtit tonë. Të gjithë dëshirojnë të bisedojnë me ta, duke i menduar si vetja, jonë ngritur në piedestal. Na ka ndodhur të na iki një njeri i shtrenjtë. Ka ikur dikush më të cilin deri dje, kemi biseduar me të në një kafe, a lulishte dhe më pas ai ka ikur. Dhe i themi vetes se do bisedojmë me të kur të kthehet në yll. Kjo gjë nuk është kaq e lehtë. Biseda me yjet është një kurth, të cilin e kuptojmë me vonesë. Ne pra, zhurmëmëdhenjtë e tavolinave, kur na kap malli për të folur me një imazh të shtrenjtë që nuk e kemi më pranë, harrojmë se…” yjet nga qielli s’zbresin asnjëherë/ Duan të flasin me dikë? E marrin lart…!”

Çfarë nuk e keni thënë asnjëherë?

Ato që nuk kam thënë janë pafund. Madje ato që kam thënë janë fare pak, janë grimca në krahasim me malin e atyre që dua të them. Po ndoshta është një fjali, e cila le të themi se tingëllon si një deklarata, po fundja le të jetë e tillë, se nuk më prish asnjë punë. Është një fjali, të cilën në poezi e kam thënë me mijëra herë, e kam thënë jo drejtpërdrejtë, por kurrë nuk kam menduar ta them thjesht si një deklaratë. E pra po e them atë fjali rreth së cilës jam vërtitur pa fund, thuajse gjithë jetën time, po nuk kam menduar ta them kështu tekstualisht: Njerëz, sa shumë ju dua! E pra tingëllon si deklaratë!? Le të tingëllojë. Është koha ta them.

Çfarë nuk ke si të tjerët?

Shpesh në përfytyrimet e mia, më del para imazhi i një pllaje me emër beu, atje në Jug, nga e cila me kohë jam larguar. Më del para një fëmijë i ndrojtur që ngjitet atje në pllajë, mes bimësisë trup vogël, thuajse sa trupi i atij fëmije. Dhe në ato çaste përfytyrimi, e vetmja fjali që mund të thosha është se ai fëmijë jam unë! E pra unë kam mbetur peng i atij imazhi kaq shumë, deri në dobësi të pashpjegueshme. Nëse edhe dikush tjetër që do më thoshte se edhe ai është kështu si unë, thjesht do më bënte që të flisja e të flisja pa fund, për një gjë që unë kurrë nuk lodhem së foluri dhe për t’i treguar së kështu jam vetëm unë dhe në këtë pikë nuk jam si të tjerët.

Pse të duket e vogël kjo botë?

Ndërsa je duke udhëtuar fizikisht në Afrikën e Jugut apo Australi, në Teksas apo Argjentinë, në Siberi apo luginës së Drinit, do ta kuptosh se në fund të ditës, të gjitha rrugët të çojnë (natyrisht jo në Romë), por atje ku nisi udhëtimi yt. Do ta kuptosh se i gjithë ky udhëtim, në fund të fundit, përfundon në një kube të trishtë, po atje. Bota është kaq e vogël fizikisht dhe kaq e pafund nga shpirti i saj.

Kur tepron Atdheu?

Atdheu asnjëherë nuk është më shumë sa duhet të jetë dhe sidomos një Atdhe që kurrë nuk i ka hedhur sytë nga Atdhe të tjerë. Pa dashur të bëj patriotin, më gjeni një Atdhe të dytë, që po të hedhësh sytë tej portave dalëse të tij, të shikosh pjesë të Atdheut. Më gjeni në tjetër Atdhe që ndërsa hedh sytë tej Kakavis, tej Qafë Thanës, tej Morinës po e po, apo tej Hanin të Hotit, të shikosh pjesë të Atdheut tënd, të ndara prej tij. Më gjeni një tjetër Atdhe që tej këtyre portave, apo thjesht të gjithave portave dalëse të tij, të flitet po ajo gjuhë që flitet brenda territorit të vetë. Në këtë kuptim Atdheu im kurrë nuk tepron. Kurrë! Atdheun e bëjnë të teprojë të tjera gjëra. Atdheu nuk është vetëm tërësia e fushave dhe maleve të tij. Atdheu nuk është as më shumë e as më pak, por tërësia e zemrave të banorëve të tij, të atyre që kanë ikur nga kjo botë, të atyre që janë dhe atyre që do të vijnë. Ndodhë shpesh që mijëra nga këto zemra dhe shpirtra, pra mijëra “Atdhe”, vërtiten udhëve të botës, sepse politikat këtu nuk u ofrojnë një jetë më të mirë. E pra këto mijëra e zemra që vërtiten udhëve të botës janë “atdhe” të nxjerra tepër në mënyrë shumë trishtuese.

Ç’ndodh me dashuritë e lëna përgjysmë

Ndodh gjëja më e dhimbshme. Kur humbasim një dashuri, dhe më keq, kur vrasim një dashuri, kur e lëmë përgjysmë një dashuri, pak nga pak, ne kthemi përjetësisht në një imazh të dyzuar, gjysma e gjallë dhe gjysma e vdekur. Në një imazh të padrejtë, sepse kush nuk e vrau dashuri, vazhdon të mbajë brenda vetes pjesën e dashurisë që vrau ajo, apo ai që e deshi aq shumë, deri pak më parë, ndërsa tjetri vazhdon të mbaj brenda vetes pjesën tragjike gjallë të dashurisë tënde. Një dashuri e lënë përgjysmë na dënon që të kthehemi në imazhe gjysmë kufomë e gjysmë gjallë.

A nuk shkon gjysma e jetës duke thënë herët dhe tjetra vonë?

Jeta është e bukur. E bukur si do që të vijë ajo. Kjo jetë është e personalizuar te secili prej nesh. Nuk është fjala për jetën si nocion, por për jetën tonë veç e veç te secili prej nesh, i të gjithë banorëve të globit. E them këtë se shpesh në raport me të, sillemi padrejtësisht, sillemi sikur jeta jonë të mos ishte jona. E shajmë, e mallkojmë, e tallim atë sikur ajo të ishte tjetër gjë dhe ne vetë tjetër gjë. E kam theksuar dhe diku se më e drejtë do të ishte që secili prej nesh ta shikoj jetën e tij drejt në sy dhe pa hezitim t’i themi të dua moj jetë! Të dua sepse ti je imja dhe vetëm imja dhe nëse nuk të dua unë kush do të dojë ty? Ajo rend shpejt dhe në jetën e secilit, vjen një moment, një moment pjekurie, le të themi, e mbushur dhe me trishtim. E mbushur me trishtim, sepse ajo tani ka ikur, apo është duke ecur vrullshëm dhe t’i ndoshta ndihesh fajtor, sepse nuk ke mundur të realizosh shumë gjëra dhe ajo që ka mbetur çuditërisht të duket shumë pak. Ky nuk është fatalitet, po thjesht një rrjedhojë logjike se ne njerëzit e zakonshme, thuajse në të gjitha rastet ndihemi në faj për ato që duhet të realizonim.

Ç’kanë të përbashkët procesi i krijimit dhe i lexuesit?

Në çastin që një vepër artistike bie në dorën e lexuesit, krijuesi humbet një pjesë të atributeve të veta mbi autorësinë e kësaj vepre. Ata krijojnë me njëri-tjetrin raporte thuajse krijuese. Kjo ndodh sepse edhe lexuesi më i thjeshtë, ndërsa lexon rreshta poetik, nuk ka si të mos bëhet pjesë e botës poetike të autorit. E thënë ndryshe kjo mund të artikulohej se poeti është poet dhe lexues, ndërsa lexuesi është lexues dhe poet.

Në atë ishullin poetik të krijimit ju merrni trishtimin dhe jo lumturinë. Pse?

Kjo ndodh për një arsye fare të thjeshtë. Sa herë ndihemi të rrezikuar, sa herë ndiejmë mbi vete vrazhdësinë e botës ku jetojmë, e para gjë që është të fshehim brenda vetes sonë dobësitë tona (jo të metat natyrisht). Ashtu si loti për gratë, a nuk është trishtimi gjëja më e bukur e botës!?  A mund të iki atje në ishullin poetik dhe ta lë thuajse në mes të rrugës trishtimin tim, kur në fund të fund, unë iki vetëm për të. Iki se ndoshta jam edhe egoist për trishtimin tim. Dua të jetë imi dhe vetëm imi.

Për çka jeni lutur më së shumëti në botë?

Hedh sytë rreth vetes dhe kuptoj se nuk i përkas vetëm vetes sime. Në çdo çast shikoj ca fytyra të dashura, shumë të dashura, ca fytyra që fatmirësisht sa vijnë e shtohen. Ato janë lutja ime deri në përgjërim.

Kur s’të mbajnë më këmbët nga pija, kush je dhe ç’të vjen të bësh?

Kjo ndodhë rrallë, ose më saktë tani kjo ndodh kur dua unë. Në ato çast jam thjesht një jugor tipik që më pëlqen të pi dhe të këndoj. Kaq. Mjafton kaq dhe kjo është bukur.

Vendlindjen tuaj ngjan sikur ta kishit emërtuar ju, Vajzë. Ka dorë poeti këtu?

Ka qenë një emër intrigues gjatë gjithë jetës për mua. Që në fëmijëri e deri sot. Ka qenë mburrja ime ai emër. Më pas kur jam larguar andej dhe më kanë pyetur për rrënjët e mia, në fillim u thosha se fshati nga vij unë, ka një emër të çuditshëm. E kam menduar gjatë e gjatë atë emër, sa vërtet më është dukur si krijesa ime, apo e dikujt tjetër që ka shpirt poetik, dhe që në fshat janë me shumicë. Kështu ka ndodhur për shumë e shumë vite dhe ndoshta do ta përvetësoja për vete idenë e krijimit të këtij emri kaq poetik, a thjesht do t’ia atribuoja një poeti anonim. Nuk do të kishte ndryshuar asgjë, nëse vetëm pak muaj më parë nëna ime, sot nëntëdhjetë vjeç, në një emision televiziv, shpjegoi në mënyrë fantastike poetikisht se vërtet ai emër kishte lidhje me një vajzë. Tani nuk kam asnjë dilemë se ai emër është imazhi i nënës sime-vajzë, është imazhi i motrave të mia, është i gruas ime, është imazhi i mbesave të mia dhe imazhi i tërë nurit vajzëror të bijave të atij fshati dhe atë emërtim ja kanë dhënë pikërisht ato. Po vërtet, tani unë besoj se atë emër atij fshati ja kanë dhënë ato, poetet e lindura të atij fshati.

Po të ishte Gi de Mopasan krijuesi i botës, si do dukej ajo bota ku thuhen krejt të vërtetat?

Po të ishte krijues i botës Mopasan, bota ndoshta do të ishte më e trishtë, po të ishte Homeri do të ishte më krenare, po të ishte Gëte, do të ishte më e thellë, po të ishte Tolstoi, do të ishte më e vërtetë, po të ishte Neruda, do të ishte më e dashuruar. Shkurt, nëse bota do të ishte krijuar nga një shpirt poetik, jo thjesht nuk do të ishte e njëjtë me atë që është, por do të ishte më e bukur. Edhe kështu si është ka një gjë të bukur, sepse poetët janë thirrur që të rikrijojnë botën nga e para, pafundësisht.

Si ia del në përditshmërinë prozaike?

Prozaikja është pjesa jonë. Më saktë është ajo që bie në sy më së shumëti tek e përditshmja jonë. Bie në sy lehtësisht, sepse poetikja ndryshon. Duke qenë më fine, më e pa dukshme, ajo kërkon përqendrim për t’u zbuluar. Ti ngrihesh dhe bëhesh gati për në punë çdo mëngjes, dhe kjo gjë është tërësisht prozaike. Bën po atë rrugë që bën përditë, shikon të njëjtat fytyra, ulesh tek e njëjta karrige, hap po ato dosje, dhe prapë e tëra duket tmerrësisht prozaike. Ulesh në kafe, tek e njëjta karrige, shikon xhamat të mbuluar me avuj prej të ftohtit që bënë jashtë dhe një çast në ekranin e telefonit të shfaqet një mesazh si drithërimë meraku: Mos e mbaj zbërthyer xhaketën se paske harruar shallin!Tani më thoni, ky çast, apo ky mesazh është prozaik apo poetik!? Njëqind përqind poezi!

Në poezi kur mund të kesh harem, ti zgjedh një grua ? Mopasani thotë: Jam i paaftë të dashuroj një grua, sepse i dashuroj tepër gjitha të tjerat.

Mund të dashurosh në jetë, në kohë të ndryshme, dy gra, tri gra, e sërish nuk mund të thuhet se ke bërë ndonjë gjë që nuk e ka bërë askush. Të mburresh se ke dashuruar më shumë se një grua, ngjason si një rutinë e zakonshme. Dikush tjetër, para teje, mund të ketë dashuruar katër-pesë, apo më shumë gra. Kjo është njëra anë. Ana tjetër dhe më e rëndësishmja është fakti se nëse ti ke dashuruar më shumë se një grua, unë them se je i paplotësuar në dashuri, në raport me gratë. Duke dashuruar dy apo më shumë gra, ti thjesht ke dashuruar grimca të disa grave, po asnjëherë një grua të plotë. Duke dashuruar dy apo më shumë gra, ke njohur disa detaje të dashurisë, po jo të tërën. Shkurt, nëse do që të dashurosh një grua të plotë deri në grimca, nëse do që të njohësh dashurinë deri në detaj, duhet të dashurosh vetëm një grua. “Haremi” i vërtetë i një burri nuk është numër grash, por është një grua e vetme, ku dashuria e saj mbush këtë “harem” skaj më skaj, me të gjitha detajet e dashurisë së saj. Të gjitha gratë e botës dhe jo më dy apo tri, mund të hyjnë në lëkurën e një gruaje të vetme, po një grua e vetme që të do, është shumë. Imazhin e saj nuk e nxë as lëkura e të gjitha grave të botës.

A duhet që poeti të mbajë anë në ngjarjet e ditës?

Le të themi se që në konfirmimin e tij si poet, ai në fakt është pozicionuar. Është pozicionuar jo si të gjithë të tjerët që bëhet palë me këtë apo atë pjesë të palëve politike të momentit. Këtë gjë e bëjnë shumica e bashkëkohësve të tij, edhe pse kjo do të ishte gjëja më e thjeshtë për të. Por një veprim i tillë do ta zbriste atë nga froni i tij poetik, do ta kthente si “të tjerët”. Natyrisht ky nuk është asnjë mëkat dhe kjo ka gjë ka ndodhur shpesh. Në momente kritike të kombit të vet, poetët kanë zbritur nga froni i tyre dhe janë ngjitur në krye të kombit të vet, politikisht jo poetikisht. Kjo është një gjë jo e shpeshtë, ose më saktë është një përjashtim që duhet të ndodhë atëherë kur duhet domosdoshmërisht. Ndryshe ai, poeti, apo ish-poeti, shkrimtari apo ish-shkrimtari tani, bëhet pjesë e klasës politike, ku një pjesë është kundër pjesës tjetër, duke braktisur pozicionin e vetë. Të mos harrojmë se poetët më të mëdhenj që nga Greqia e Lashtë, ku lindi poezia moderne, e deri më sot, janë poetët lirikë, janë poetët që bërthamë të krijimit të tyre kanë pasur trishtimin shpirtëror. Lirika nuk mundet, as ka mision të rrëzojë një klasë të caktuar politike. Lirika nuk mundet të largojë varfërinë, por lirika u ofron njerëzve mundësinë që ta mbushin shpirtin me dashuri. Ky mision nuk është politik, por është tej saj. Le të themi se është një mision hyjnor, pa u keqkuptuar në këtë term. Dhe mes zgjedhjes së dhënies së mesazhi politik që i takon të përditshmes dhe një hyjnori, unë them se poetët ndihen më mirë në këtë të dytën. Misionin e parë mund ta bëjnë shumë të tjerë, të dytin vetëm poetët.

A shkruhet poezi e bukur sot?

Poezi shkruhet. Natyrisht që shkruhet, madje shumë. E bukur? Këtë nuk mund ta them. Ajo që mund të them me siguri, është fakti se poezia është një art i vështirë. Ajo e ka pasur kohën e nevojshme që të lind, të rritet, të piqet. Dhe në këtë kuadër, unë mendoj se poezia e madhe, tashmë është shkruar. Është shkruar me kohë. Kjo nuk do të thotë se nuk do të vazhdohet të shkruhet poezi. Do vazhdohet të shkruhet poezi, madje e bukur dhe shumë e bukur, por majat e saj, me kohë janë arritur dhe vështirë që dikush të arrij deri atje.

Ju thoni se në poezi jeni me një grua, duket sy ky binjakëzim është i përhershëm në ju.

Përjetësisht po! Përjetësisht me një grua, e cila për mirë apo për keq, në raport me mua, nuk shkruan poezi kurrë. Ajo që di është fakti se ajo edhe pa mua di ta bëjë poeten, në shpirtin e saj, ndërsa unë pa të? Nuk e di! Po, është e vërtetë se në poezi jam përjetësisht me një grua, e cila në asnjë varg nuk vë si nënshkrim emrin e saj. Ajo që di, është fakti se unë jam emri i shpallur në letër, ndërsa emri i saj, është rimë në rimë, sipër emrit tim. Po është e vërtetë se në poezi jam me një grua, e cila ishte poetike edhe pa më njohur mua, ndërsa unë nisa pas saj, dhe ndihem i kapur në një kurth të bukur, ku muza më kthehet në grua, e nis e flas e flas, thuajse pa lidhje. Pas këtyre që thash mungon një detaj. Mungon vetëm emri i saj, të cilin mund ta them pa asnjë problem.

Çfarë nuk e lë të qetë Sokratin?

Janë shumë gjëra që më trishtojnë herë pas here. Janë shumë mendime të trishta, të cilat nuk i shmang dot edhe të dua. Ja le të ndalem tek një i vetëm. Në botën dhe kohën ku jetojmë, njerëzit vrapojnë ku të munden, ku ndihen më mirë. Ashtu, të nisur nga ngutja, të nisur nga mosha, të nisur nga vrulli i jetës, ikin duke lënë pas rrënjët e tyre, pa e vrarë shumë mendjen. E pas kësaj, vite më vonë,  jo më të rinj, po tani pleq të rrëgjuar, ata ulen diku të vetmuar, atje në skajin e botës, ku i çoi fati, a mallkimi i tyre dhe lotojnë në heshtje. Lotojnë me ca lot të trishtë, të palexueshëm nga bota rreth tyre. Me ca lot që veç ngashërimit të tyre, nuk kanë asnjë vlerë. Ata janë larg dhe rrënjët e tyre po aq larg. A nuk duket se ky fenomen po bëhet i zakonshëm? Kjo nuk më lë të qetë.

ObserverKult

Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: SHKODRA ÂSHT POEZI. LOÇKË ÂSHT…