Ka kohë që dukemi si kraterë të trishtë,
Ku llava ka zënë e ftohet pak nga pak.
Supeve pareshtur na bie pluhur i hirtë,
E askush s’kujtohet më, të ndezë flakë.
Ka kohë që dashurinë e shohim ndryshe,
Dikur se lija të merrte udhën për tek ti.
Pa i prerë biletën e kthimit që në nisje,
Ku të endej në s’ia hapte portën njeri!?
Ka kohë që çfarë të nis ty, e nis ti mua,
S’pyesim për të:-A erdhi nga udhëtimi?
Unë kthyer mall, e ti mall, deri në thua,
Përse i duhet mallit një biletë kthimi!?