Taras Shevçenko: Kur të vdes…

Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;
Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të vështroj si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,

Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;
Do të ngjitem lart në qiell
Perëndine të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.

Kur të më mbuloni mua,
Prangat flakini,
Derdheni në shesh të luftës
Gjakun për liri!
Dhe në familjen e madhe,
Të re dhe të lirë,
Ma kujtoni fjalën time
T’urtë dhe të mirë!…

Përktheu: Jorgo Bllaci