“Këtë grua dikur e kam lënduar…”, Leka Sefla lexon poezinë e Sokrat Habilaj

Sokrat Habilaj: Këtë grua dikur e kam lënduar…

Këtë grua që po pi kafe e heshtur,
Dikur e kam lënduar, e lëndova kot.
Dhe ika, natyrisht jo për t’u fshehur,
Si t’i rrija pranë, kur të derdhte lot?

Ndoshta ika, si ikin të gjithë burrat,
Që një lot gruaje, i nxjerrë nga vetja.
E pastaj me inat, nisin e prishin urat,
Të mos e dëgjojnë, ç’thotë ajo tjetra.

Ndoshta nuk doja, ta dija se humbi,
E kur shpirti i saj, u gremisë në gju.
Mund t’i shikoj, plagët që lë plumbi,
Por kurrë një grua, të rrëzuar ashtu.

Dikur e kam lënduar, krejt pa burrëri,
Po dhe e kam pritur që të merrte hak.
Për mua të dilte, duke më zënë pusi.
Të më kthente baltën, balta ishte pak.

Kur më doli para, unë them, në pritë,
M’u kujtuan lotët, që hodhi për mua.
Unë i bërë burrë, i thash:-Më goditë!
-S’erdha të të vras, erdha të të dua!

S’mbante në duar, as armë, as sharje,
E pse ende plagë, kishte shpirti i saj.
Po ka një jetë, s’reshti me hakmarrje,
Duke më dhënë veten, që të ndjej faj.

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

grua

JAM NJË GRUA E GJYKUME PËR PREJARDHJEN “JOQYTETARE”…

Unë jam një nga një milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë.

Nga Ada Halilaj

Jam bijë e gjakut malësor; fëmijë i dy prindërve me arsim 8-vjeçar, njerëz të një dinjiteti madhështor, të një thjeshtësie mallëngjyese, të një krenarie imponuese, punëtorë kooperativash, vjelës duhani, shitës kavanozash, shtëpijakë e në fund nëpunës shteti. Jam vajza e një nane bujarisht të dashtun por edhe e sertë në rregulla dhe dirigjente në kërkesa dhe i një babai fjalëpaktë, mendjehapun e besimdhanës.

Unë jam vetë mësuese e vetë nxanëse e lirisë teme, të cilën deri vonë, e kam mbrojt si kafsha këlyshin e vet.

Një grua e gjykume për prejardhjen “joqytetare”, për tatuazhet, për udhëtimet vetëm, për pavarësinë e mendimit të ftohtë, për refuzimin e religjionit të prindërve, bindjet politike të vetëformume, për tërheqjen nga spektakli i traditave, për njeriun që dashurova, për poezitë erotike, për shkrimet feministe, për zanin e të drejtës, për vetëvendosjen, për guximin, për besimin e palëvizshëm në vedi.

Jam grua për të cilat flitni në pauzat e kafeve, në mbledhjet familjare, në vesh të njeni-tjetrit. Një nga ato gratë që ndeshni me bërryl, tregoni me gisht, shihni me bisht të synit, ua harroni emnin apo s’keni njoft kurrë.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult