Sokrat Habilaj: Ky vit, dashuritë i shqeu në mes…


Mbyllur brenda në kohë të trishta,
Me ca grimca malli, zënë në çark.
Po ti s’më mjafton në s’je e gjitha,
Unë s’të mjaftoj, mbetur kaq pak.

Ky vit, dashuritë i shqeu në mes,
Ndërsa në dritare lotojnë shelgjet.
Dhe syri i një hëne që vetëm qesh,
Si fytyrë gruaje në çastin që jepet.

Një gjysmë hëne që na tall të dy,
Se di të bëj dashuri dhe e paplotë.
S’më duhet hëna, po ç’të bëj me ty,
Që po s’ishe e tëra, ndihesh bosh.

Do dal në rrugë, do iki nëpër terr,
Të gjej grimcat, të të kthej si ishe.
Edhe sikur t’i gjej në burra të tjerë,
Po nuk është koha të flas pa lidhje.

Një tufë flokësh që s’i njoh, përbri,
Kreh me gishta hutuar nga ndrojtja.
Po sa kthehesh, shfaqem unë dhe ti,
Tani je e plotë, është çasti ndoshta…!