Sokrat Habilaj: S’të zgjodha vetëm për vete

sokrat habilaj
Sokrat Habilaj

Mund dhe të ndodhte të mos ishe ti,
E të kisha pranë imazhin e një tjetre.
Mund të të zgjidhja pa pyetur njeri,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Mund të ishe ti, më e prerë ndoshta,
A edhe më delikate, si një pikëz vese.
Mund të më thoshe:-Jam vetëm jotja,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Mund ta mbaje fustanin lart, mbi gju,
Dhe unë mos të të bëja asnjë vërejtje.
A mund t’i prisje ndryshe flokët e tu,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Mund të kërkoje një ishull të largët,
Dhe pas të vija i bindur, nëpër dete.
Brenda teje të më përpije nga flakët,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Kisha bërë një pakt, pa më ardhur ti,
Që sytë e tu, pa pikë dhe pa presje.
Tu ngjanin syve të dy djemve të mi,
Prandaj s’të zgjodha vetëm për vete.