Sokrat Habilaj: Ti më ke besuar gjumin tënd

Ti më ke besuar mua gjumin tënd,
Sapo tej syve, hyn në ëndërrime.
Nëse më ndjen aty, mos u tremb,
Jam truproja, e bëj detyrën time.

Ti më ke besuar dhe supet e bukur,
Kur cepi i çarçafit, i lë lakuriq.
Ti më ke besuar, gjunjët e përulur,
Të t’i fsheh se nata ka dhe sy të liq.

Ti më ke besuar, puthjet që më dhe,
Buzët dhe në gjumë të duket se puthin.
Ti më ke besuar, të të prek kur fle,
Të shoh në dihatja, të dallgëzon trupin.

Ti më ke besuar, mos të zgjoj së paku,
Po ta prisha gjumin, s’ta prish se dua.
Më thuaj si të bëj kur më zë meraku,
Kur ti gjumin tënd, ma besove mua!?