Sokrat Habilaj: Tradhtitë e mia kanë emrin tënd!

tradhtitë e mia poetry by sokrat habilaj observerkult

Tradhtitë e mia kanë emrin tënd, poezi nga Sokrat Habilaj

Të dua, më shumë se dje të dua sot,
Më shumë se sot, do të dua nesër.
Bëj të iki nga ty e nuk iki dot,
Fle me ty e zgjohem me një tjetër.

Betohem për ty dhe e dredh në çast,
Sepse ti në sy, shpik një tjetër grua.
Kërkoj ca yje, gjej dy sy të zjarrtë,
Që përgjërohen dhe qeshin me mua.

Përqafoj dikë, ti më mbyt në puthje,
Dehem me ty, e tjetër kam në mend.
Nisem të humbas, vij tek ti me ngutje,
Tradhtitë e mia kanë emrin tënd.


ObserverKult

Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!

Të lutem mos shkruaj vargje dashurie për mua!

Se mund të mendosh që kur bien netët,
Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.
Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,
Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,
Krijon edhe jetë, nën strehë reje.
Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,
Që bota krijohet veç brenda meje.

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,
Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.
Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,
As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,
Shkruhen në libra, a letër së paku.
Dhe harron se dua gërvishtje në mish,
Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

Se mund të mendosh që me yjet fletë,
Dhe s’kupton asgjë çfarë do një grua.
Që ta mësoj unë, ashtu si di vet,
Mos shkruaj të lutem vargje për mua