Sonte nga ora 20:00 në programin garues të “Prishtina International Theater Festival” prezantohet Kosova me shfaqjen “Andorra” me regji nga Kushtrim Bekteshi.
Në prani të shumë mediave, panel i të cilës ishin drejtoresha e festivalit të sivjetmë të PITF2022, Doruntina Alshiqi dhe regjisori i shfaqjes garuese për sonte Kushtrim Bekteshi folën për ngjarjen e cila zhvillohet në këtë shfaqje.
I pyetur nga gazetarët nëse shfaqja ka pas premierë, regjisori u shpreh se përveq premierës që është dhënë shfaqja ka fituar edhe dy çmime kryesore deri sot.
Kjo shfaqje e zhanrit tragjedi rrëfen fatin tragjik të një të riu hebre me emrin Andri në Andorra (vend fiktiv) i cili në vigjilje të ardhjes së nazizimit ballafaqohet me paragjykimin dhe diskriminimin për shkak të përkatësisë së tij etnike.
Shfaqja me tekst të Max Frisch dhe regji të Kushtrim Bekteshit jepet në ora 20:00 në Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.
ObserverKult