
Sonte nga ora 18:00 nis edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar “Okarina Fest 2025” ngjarje kulturore që synon promovimin e instrumenteve autoktone shqiptare, me theks të veçantë tek okarina e Runikut, një instrument që daton rreth 8 mijë vite sipas zbulimeve arkeologjike.
Drejtoresha e festivalit, Monika Duzhmani, në një intervistë për “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se ky edicion është më i veçantë, pasi këtë vit festivali mirëpret artistë edhe nga Italia, mes tyre një grup i njohur që do të performojë në skenën e festivalit.
“Ideja dhe synimi ynë janë që Kosova të prezantohet në botë përmes instrumenteve tona tradicionale. Okarina e Runikut është një simbol kulturor i rëndësishëm, dhe përmes këtij festivali duam të ruajmë e promovojmë vlerat tona”, tha Duzhmani.
Ajo shtoi se festivali synon edhe krijimin e shkëmbimeve kulturore mes vendeve, pasi “muzika është ura më e fortë që lidh popujt”.
Nga ana tjetër, profesori italian Giovanni Battista Martini theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi kulturor. “Është një përvojë shumë e bukur, sepse edhe për ne është me rëndësi të gjejmë një vend tjetër që përdor të njëjtat instrumente, edhe pse me disa dallime të vogla,” tha ai.
Ndërsa studenti italian Alberto Ciarroca u shpreh se okarina në Itali është shumë e njohur, prandaj edhe koncertet e tyre janë të shpeshta./rtk
ObserverKult
Lexo edhe:
NIS EDICIONI I TRETË I JAVËS SË FILMIT ETNOGRAFIK NË PRISHTINË






