Sot Dita e Verës, tradita që mbajnë ndër shekuj gjallë shqiptarët

dita e verës

14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri. Quhet Dita e Verës edhe pse festohet ardhja e stinës së Pranverës.
Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit kremtohej shumë kohë para krishterimit.
Ajo festohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).


Ka qene një festë që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Për këtë festë ka shkruar dhe Faik Konica duke e konfirmuar se fillimet e saj kanë qenë shumë të hershme.

Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë në dekadat e fundit, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit, në qendrën e Shqipërisë. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone.
Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj.
Dhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars.


Kush kishte njerëz e të afërm në Elbasan, shkonte dhe festonte me ta. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë.
Pastaj siç thoshin gjyshet në mëngjes duhej të kapje një hekur të fortë, që të bëheshe e fortë gjatë gjithë vitit.
Të haje një mollë të kuqe, vezë të ngjyrosur nga jashtë. Ndërkohë amvisat bënin gatimet qe nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish, dhe ëmbëlsira që është mbretëresha e kësaj dite: Bollokumja, një recetë e pashkruar, por dhe e paimitueshme nga vende të tjera.

ObserverKult

____________

Lexo edhe:

NAIM KRASNIQI: SHIU I VERËS,SHI I NGROHTË I DASHURISË… (TEKSTI DHE KËNGA)