
Nga: Agron Gërguri
Etno Fest përkatësisht fshati Kukaj tashmë është bërë adresë e trashëgimisë, identitetit dhe kreativitetit kulturor dhe artistik në përmasa ndërkombëtare. Sivjet ndodhë edocioni i 16-të dhe për temë boshtë është përzgjedhur KUJTESA jo thjeshtë si një reprodukim i ngjarjeve e personaliteteve, frymës e dukurive por si një reflektim mbi vlerat kulturore, artistike, profesionale e njerëzore në favor të një sistemi vlerash i cili në ambientin tonë kulturor është ende në kërkim ndërsa Etno Fest po bëhet pikë referimi.
Kujtesa nuk nxirret nga e kaluara sa për mburrje a lavdi por ajo merr funksion motivues për të sotmen për të gjetur rrugën e të ardhmes në të cilën thirremi dhe pretendojmë të dalim si njerëz, shoqëri e shtet. Individ kreativ si çifti artistik Fadil Hysaj, Sheqerie Buqaj që ideuan dhe organizuan manifestimin multikulturor siç është Etno Fest bëhen urë lidhëse në këtë qarkullim të trashëgimisë të cilën e thërret kujtesa për ndërtim dhe përplotësim të identitetit kulturor dhe integrimit me kulturat tjera. Gjuha e komunikimit është arti, piktura, skulptura, Teatri si forma më e drejtpërdrejtë e të kujtuarit duke ndërtuar përmes të bukurës rrugën deri te vetja.
Nëpërmjet Etno Fest kulturalisht sivjet selektohen pikat e kujtesës si ndjenjë kolektive dhe individuale. Shfaqjet, ritet, rituali, biseda, kodifikimi i bisedës dikur, zbërthimi sot në këtë kohë të digjitalizimit të gjithçkajes kujtojmë se fytyra njerëzore të cilën e përcaktojnë ndjenjat, emocionet regjenerohet përmes artit teatror, muzikës, bisedave, pikturave që prekin thellësi të harruara duke nxjerr në funksion ato që mbase i kemi harruar: mallin për të kaluarën, të vjetren e lënë në ndryshkë të kohës, komunikimin me shprehje që thonë po nuk lëndojnë, nuk prodhojnë konflkt, bukurinë e gabimit dhe shëmtin e suksesit.
Përtej saj e me qëllim mirënjohës sivjet do të kujtohen të gjitha ato ngjarje e personalitete që për qëllim imediat kishin dhe kanë të mobilizojnë frymën e njerëzillëkut që po shterret. Nuk ka kurrgjë më të përbashkët se njerëzorja dhe përmes regjenerimit të kujtesës kthehemi tek gëzimi i jetës, dashuria, pranimi, mirënjohja e bashkëpunimi. Përmes artit kujtojmë përjetimet emocionale të dikurshme duke ndërtuar raporte të mirëqenies shpirtërore dhe mendore midis njerzëve në këtë pështjellim të madh kriteresh e vlerash ku ngarendja pas suksesit e ka eklipsuar të vërtetën të cilën e pretendojmë.
Në Etno Fest do kujtohen vargje që provokojnë vargje tjera, shfaqje që të bëjnë të reflektosh në frekuencë me këngët e Nexhmie Pagarushës, dramaturgjisë së Haqif Mulliqit, anekdotave të thëna aq bukurisht nga Salih Zogjani dhe shumë të tjerëve që nuk janë më porse emri i tyre vleror është gravuar në Etno Fest. Vetë Etno Festi bëhet kujtesë e gravuar në palcën e shpirtit identitar ku Teatrit, këngës, valleve, fjalës, ritualit i bashëngjitet gastronomia tradicionale dhe të gjitha bëhen etno mendim. Gjatë 8 ditë-netëve sa zgjatë festivali çdo takim bëhet vlerë që shpërthen në emocione duke prodhuar ndjenja të mira që ngjallin vlera njerëzore. Aty regjenerohen identiteti, dashuria dhe kujtesa si shprehje e mirënjohjes dhe shembëllim.
Esenca e Etno Festit është tek modernia e cila respekton traditen dhe tek tradita e cila bëhet themel i modernes. Etno Fest mbahet në Kukaj në këtë fshat Muze i Trashëgimisë Kulturore ku jetohet me shpirtin e artit dhe ku mikëpritja e respekti janë formë e komunikimit me të gjithë vizitorët e veçanërisht me mërgimtarët të cilët bëhen argument i kujtesës kulturore dhe historike.
ObserverKult












Lexo edhe:






