Izolimi është tema e edicionit të 12-të të Festivalit të Filmit të Animuar ‘Anibar’, i cili do të fillojë sot, më 23 korrik, ku do të shfaqen 300 filma të ndryshëm.
Kështu bënë të ditur në një konferencë për media zyrtarë të Anibar International Animation. Ky festival sivjet shënon edicionin e 12-të të tij.
‘Anibar’ do të jetë në format të kombinuar
Vullnet Sanaja, drejtori i organizatës tregoi se duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i këtij viti i ‘Anibar’ do të jetë në format të kombinuar.
Festivali mund të vizitohet si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes platformave virtuale.
Fizikisht festivali do të zhvillohet në disa lokacione në qytetin e Pejës. Si Kinemaja Jusuf Gërvalla, Teatri Istref Begolli, Kino Kubat dhe Hapësira e Liqenit Anibar.
‘Izolimi’, tema e këtij viti
Anibar vjen me një temë të veçantë këtë vit, që është “Izolimi”. Sipas organizatorëve, falë situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, e gjithë bota e ka kuptuar se çfarë do të thotë të jesh i izoluar ndërsa për kosovarët është edhe një arsye shtesë. Kjo për shkak të izolimit shtetëror që e përjetojmë si pasojë e mungesës së vizave.
Arba Hatashi, drejtore e festivalit ka treguar më shumë rreth programit të festivalit, filmat që do të shfaqen këtë vit.
Këtë vit janë 9 kategori të ndryshme të filmave, 6 prej të cilave janë garuese për të cilat është zgjedhur edhe juria e cila do të bëjë përzgjedhjen e fituesve.
Përveç këtyre filmave janë edhe disa programe speciale të cilat përfshijnë punëtori dhe panele, transmeton ‘rtklive’.
Koordinatorja për media, Rina Statovci përmendi që përveç këtyre programeve Anibar këtë vit sjellë edhe programin muzikor. Ku do të performojnë shumë artistë si: Uj pa Gaz, Yll Megi, Zwada, Eptan, Stratos, Elsa Rraqi & Ilir Bajri, Florent V, Altin Boshnjaku dhe Ashikët e Gjakovës.
Festivali fillon me datën 23 dhe zgjatë deri më 30 korrik. Ndërsa për më shumë informata rreth programeve, filmave, blerjes së biletave dhe çështje tjera vizitoni webfaqen www.anibar.org.