Nga: Agim Xhafka
Sot një vit pa ty, Xhodë. Ngatërrove radhën, të rrije nga fundi i varganit. Pas vitesh e vitesh duhej të tregoje pasaportën atje te dera e Parajsës. Që të ikje i qeshur, i ngopur, i kënaqur. Por ja që ti i maturi në jetë e në filma kapërceve klonin dhe u derdhe linkthi drejt errësirës.
Të shtyu sëmundja, dhimbja, por mbase motiv kishe dhe filmin, teatrin, skenën, kolegët, artdashësit. Se ajo ndërtesë që po bëhet lakmi e vjedhjes ishte tempulli yt. Me shfaqje që u shiteshin biletat dy javë para. Në atë oborr lëviznin korifej. Tani ruhet nga rrënimi prej misionarësh që fe kanë traditat dhe historinë. Shteti e ka harruar artin. Shteti i ka hypur fadromës dhe shëtit si i marrë mbi betoniera.
E di që nuk më dëgjon. E di që s’ma ve veshin. Por edhe unë kam një vit që nuk e besoj lajmin. Është fake. Xhevdet Ferri rron. E kam te cd në shtëpi. Siç e kanë mijra familje. Ja,e hapa “Përrallë nga e kaluara “. Ja ku je. i ri, i shëndetshëm,i pashëm. Si doje të na lije kur ne të kemi salduar te tv dhe dvd e shtëpive.
Xhodë, më dhembi zemra nga lajmi i zi. Mbase do mësohem me largimin tënd. Ama kur moshatarët e tu vite e vite më pas do ecin avash-avash e me karroca apo bastun ti do u dalësh para si kaçaku i filmit. Do qeshësh e do bësh romuze me ta. Hë mo e bëni dot shurrën, do u thuash. Atëhere ata do të kenë zili ty që në përjetësi do quhesh djalosh. Djalosh dhe bukurosh.
Xhodë, të rrije dhe ca. U mbush viti që më griu malli.