Sot që kam nevojën mâ të madhe për tè, nuk e çanë kokën…

Foto ilustrim

Nga Mustafa Greblleshi

Më 21 të Shkurtit 193…

Plot tri ditë që s’kam luejtë nga shtrati. Ç’dënim i tmerrshëm! Gjatë jetës s’ime, kurr ndonji herë nuk e kam provue mundimin e sëmundjeve; por ajo shka po ma shton mâ fortë mërzin dhe po ma brenë zemrën keqas, asht mosinteresimi i Margeritës. Ajo që m’asht tregue gjithmonë si grueja mâ besnike që ekziston në faqe të dheut, sot që kam nevojën mâ të madhe për tè, nuk e çanë kokën. Ah jetë hipokrite! Por jo, asht tepër e tmerrshme! Nuk mund ta besoj. Kushdi se ç’i ka ndodhë që nuk vrapoi me më pa. Ndofta edhe ajo gjëmon e rënkon e strukun në ndonji shtrat të shtëpìs së saj, ase-ka të ngjamë-edhe të ndonji pavioni tjetër këtu ngat. Margerita, nuk asht jo, trathtare!
Me të tilla mendime e diskutime, qerpikët e mij u lodhën dhe u mbyllën për t’u prehë sado pak në krahët e vokët t’Orfeut. Dhe mbas nja nji ore, kur u zgjova, syt e mij të përgjumshëm u ndeshën me ata të Margeritës që po rrinte e heshtun në nji fron.
-Memli!-thirri tue më pushtue përmallshëm me të dy krahët.
-Ah, Margeritë!-rënkova tue kundrue syt e saj që shëndritshin si margeritarë prej lotësh të kristaltë.
-A je mâ mirë, Memli?-më pyeti tue e mbështetë kokën në gjoksin tim dhe tue ma shtrëngue fort dellin e dorës.
-Mos u shqetëso, Margeritë, s’kam kurrgja, vetëm se kisha nevojë për qetsì mâ tepër.
-A kishe me mundë me u çue vetë në kambë?-më pyeti prap për të provue fuqìn time.
-Po si jo, edhe me ecë bilè!-e sigurova për ta qetësue.
-Çou, Memli, pra, t’ikim prej këndej.
-Ku me shkue, moj?-e pyeta i çuditun.
-Në shtëpì tonë pra, kam bisedue edhe me Drejtorin e Spitalit, i cili më ka lejue me të marrë.
Ndërkohë ia mbërrini motra e pavionit të II-të me petkat e mija nër duer.
-Vishu, Memli!-urdhënoi ajo tue ia marrë petkat motrës nga duerët.
-Jo, Margeritë, si mundem me ardhë në shtëpin tuej?
-Unë nuk dij, nana porsa mori vesht, më porositi të veproj në këtë mënyrë. Ajo po na pret atje.
E dijsha se nuk do të përfitojsha gja prej kambënguljeve, prandaj nuk mënova me u mveshë dhe me u futë në kuben e arabas që na pritte jashtë.
Ndonse isha përmirsue dishka, prap ndihesha pigëll, i raskapitun fare dhe sidomos, qëndrimin në shtëpì të saj, e përtojsha fare. Por ngjau krejt e kundërta, sepse shërbimet e mjekimet e nanës së saj nuk i kisha imagjinue kurrë. As ime amë nuk do të përkujdeseshte sa ajo: Bilè herë herë-si për të qeshun-më qortonte që nuk kisha shkue drejt ke ata, por kisha kërkue që të thirresha.
Nuk dij sepse edhe prindët e Margeritës, më duken jo si njerëz të zkaonshëm, ato më gjajnë si engjëj, si qenëje të mbinatyrëshme. Dashunija që ushqej për ta, sidomos për t’amën e saj e për të vëllanë e vogël, mund të barabitet lehtë me ate të nanës dhe të motrës sime, Nezit. Por edhe ata më duen po aq.
Këtë gjë e kam kuptue mirë dhe s’ka asfare dyshimi.
Që të tre-me që i ati s’asht këtu-përkujdesen kaq tepër për mue saqë s’është e mundun ta përshkruej: Margerita mundohet me ma shlye mërzìn me pjesë të bukura muzike që luen herë mbas here në violìnë. E ama më kujton nanën time me këshillat e porosinat e zjarrta që më jep vazhdimisht, dhe Loni i vogël, për të më argëtue, më tregon sa e sa prralla që ndëgjon prej mësuesit dhe më sjellë gjithnduer ambëlsinash e bombonesh.
Ah sa shije ka jeta lajkatare kur shkon në harmonì!

*Shkëputur nga romani i Mustafa Greblleshi: “Gremina e dashunis”

Përgatiti T.K: ObserverKult


Lexo edhe:

RIZA BRAHOLLI: MË IKE EDHE TI