Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” në kuadër të edicionit të tretë të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” sot organizon një takim letrar me njërin nga prozatorët e romancierët më të rëndësishëm e më të veçantë të letërsisë së sotme shqipe, Virion Graçin.
Për prozën e tij artistike, me fokusim të veçantë në dy romanet “Pëllumbat i vrasin natën” dhe “Dead end”, do të flasin shkrimtarët e njohur Sali Bashota dhe Gëzim Aliu.
Takimi do të mbahet në ora 12:00, në restorant “Amaro”, Prishtinë.
Virion Graçi u lind në Gjirokastër, më 14.02.1968. Ai ka botuar: -“San Valentino” (poezi, 1993) dhe romanet: -“Të çmendur në parajsë” (1995), “Shpata e ndryshkur” (1999), “Bijtë e zotit majmun” (1999), “Babai në shi” (2000) 2008, “Zonja pa emër” (2005), “Litari dhe lamutmira” (2011), “Stina e Hijeve” (2014), “Djali memec” (2016), “Pëllumbat i vrasin natën” (2018), ‘Dead End’ (2019).
Romani i tij “Të çmendur në parajsë” është përkthyer dhe botuar në frengjisht ‘Au paradise des fous” nga shtëpia e mirënjohur botuese franceze, Editions Gallimard 2001 dhe në greqisht “Trelis stin paradiso” nga shtëpia botuese Editions Patakis.
Nga viti 1994 deri në vitin 2010 Virion Graçi ka qenë pedagog i letersisë botërore në Universitetin “Eqerem Çabej”, ndërsa nga viti 2010 e deri tani punon në Akademinë e Studimeve Albanologjike, Tiranë.