‘S’të kam shkruajtur se kam qenë sëmurë’, publikohet për herë të parë letra e Nënë Terezës për Ramiz Alinë

“Më falni që nuk ju kam shkruajtur më parë pasi siç e dini kam qenë e sëmurë”.

Me këto fjalë në gjuhën shqipe, shenjta Terezë do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia.

Në kuadër të 4-vjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016 në Vatikan), u prezantua në Qendrën për Hapje dhe Dialog letra e saj origjinale e shkruar në anglisht me disa fragmente në gjuhën amtare.

Të pranishëm ishin kryeministri Rama dhe studiues të historisë apo përfaqësues të komuniteteve fetare. Janë tri letra me kreun e shtetit shqiptar të asaj periudhe, që rrëfejnë dhembshurinë dhe dashurinë e Shenjtës Terezë për të varfëritë, por dhe për kombin pjesë e së cilit ishte.

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është ekspozuar dhe një fotografi e vizitës së Shën Terezës në vitin 1991 në Shkodër, e realizuar nga fotografi francez Michel Setboun.

Ekspozita do të qëndrojë hapur në datë 5 shtator në COD nga ora 9.00 në orën 21.00.