Stefan Çapaliku: Mos luani Teatro me Teatrin

Tani që një teatër do shëmbet është rasti t’i bëhet edhe njëherë me dije të gjitha niveleve qeverisëse në vend, se në Shqipërinë e Tranzicionit, mbi bazën e të gjitha sondazheve të besueshme, mbi 70 % e popullsisë nuk ka parë asnjëherë, kurrë, teatër.

Nga Stefan Çapaliku

Kaq do mjaftonte për një qeveri normale të thyej qafën e të ikë, pa e menduar hiç më gjatë se kujt do ia linte në dorë “fatet e vendit të tyre të dashur”. Imagjinoni mandej qeveri, së cilave nuk i kanë munguar kurrë Ministritë e Kulturës…

Për ta mbështetur këtë statistikë le të marrim si shembull tre bashki të vendit: Bashkinë e Kukësit, Bashkinë e Lezhës dhe Bashkinë e Librazhdit. Bashkia e Kukësit me rreth 25.000 banorë e ka parë shfaqjen e fundit teatrore diku rreth vitit 1996-1997. Askush nuk e mban mend saktësisht, por ky thashethem qarkullon. Kjo do thotë se i gjithë brezi i lindur mbas vitit 1990 dhe i bërë sot te të tridhjetat, përvec ndodnjë fatlumi, që mund të jetë gjendur i zënë pisk në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër të madh, nuk ka parë teatër. Pra me fjalë të tjera ka humbur rastin të shijojë atë mrekulli të komunikimit përsëgjalli midis një spektatori dhe një aktori që vepron, duke recituar apo jo, për të treguar një ngjarje apo për të mbajtur një qëndrim.

E njëjta gjë ndodhë me banorët e Bashkisë së Librazhdit me rreth 30.000 banorë si dhe me Bashkinë e Lezhës me rreth 50.000 banorë. Morëm këto tre shembuj me bindjen se jut ë dashur lexues mund ta shtoni listën me Pukën, me Delvinën, me Devollin me…

Ndërkohë që në teatër njeriu duhet ta vrasë mendjen se pse është njeri dhe pse është pikerisht ky lloj njeriu e jo tjeter, teatri nuk ekziston. Ndërkohë që në teatër filizofia e jetës nuk merr kurrë fund, sepse ai është vendi, ku dëshmohet publikisht se askush nuk i ka thënë kurrë të gjitha, teatri nuk ekziston. Ndërkohë që çdo brez e madje çdo individ ka vendin dhe detyrën e vet për të thënë në teatër çfarë i ka mësuar jeta, teatri nuk ekziston.

Në Shqipërinë e Tranzicionit filozofia e jetës është rëndom diçka që thjeshtohet vetem te praktika e së përditshmes. Diçka që e ndiejmë të nevojshme sot, në këtë moment dhe që e adoptojmë, duke menduar se jeta është krejt e shkurtër për ta ngarkuar me sende të rënda si puna e teatrit.

Po t’i shtojmë kësaj situate edhe pyetjen: “Spektatori, ai i sotmi, ai i pakti, i vendit tonë, i cili vjen në teatër, për çfarë vjen?”, atëhere në mungesë të një politike teatrore, do të na bëhej edhe më kaotik arësyetimi.

Shikohet qartë pra se tashmë, teatri vetë, ai i mbeturi, ka humbë shumëçka nga aura e tij. E kjo jo për faj të atij spektatori të rradhë dhe “fanatik”. Ky i fundit, po ashtu, ka humbë shumëçka që e lidhë me teatrin, fjala vjen atë kohezion të grupit, në ide e në përjetime. Ajo çfarë politikat dinake po i afrojnë njerëzve të vendit të vet, janë aderimet në distancë. Shifrat e ndjekjes se programeve të ndryshme arrijnë deri në miliona “spektatorë”. Kësaj i thonë të luash teatro me teatrin.

E çka duhet të bëjnë njerëzit para kësaj situate, çka mundet të bëjë teatri i mirëfilltë? Po dramaturgu e bashkëpunëtorët e tij? Si me i mbledhë 200 njerez që ndajnë ide e perceptime të ngjashme, grupi, me njëri-tjetrin?

A ka ndonjë mënyrë që teatri me thanë edhe njëherë me të madhe se ekziston dhe se është një shtëpi e hapur për të gjithë ata që duan të njohin veten dhe njëri-tjetrin? Si mundet teatri me e mbushë edhe njëherë boshllëkun e papërcaktuar të qenies?

Pra është koha të ndërtojmë, të shtojmë e të mos prishim teatro. Ose, më së paku, nuk asht koha te luhet teatro me Teatrin./ Observerkult