Studentët propozojnë dekorimin e Artan Boriçit nga Presidenca

Presidencës i ka mbërritur një propozim për dekorim të shkencëtarit prof. Artan Boriçi, në shenjë vlerësimi, respekti dhe nderimi për kontributin e pashembullt të tij në kërkimin shkencor dhe mësimdhënie.

Ai u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme më 26 mars 2021.

“Profesori i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Artan Boriçi, akademik i asociuar, humbi betejën me Covid-19, duke shkaktuar një humbje të jashtëzakonshme për familjen, të afërmit dhe miqtë. Duke lënë në mes mjaft angazhime shkencore serioze dhe të mirëpritura brenda dhe jashtë vendit; duke ndërprerë ligjeratat kompetente me studentët dhe bashkëpunimet me kolegët”, thuhet mes tjerash në kërkesën e studentëve.

Ata kanë përmenduar fondin e shkëlqyer me kërkime dhe punime shkencore. Karrierën e jashtëzakonshme, që e ka identifikuar profesor Boriçin në elitën e studimeve në fushën e fizikës dhe matematikës.

Boriçi ka bashkëpunuar me sukses me disa qendra të mirënjohura të fizikës dhe matematikës në Zvicër, Gjermani e më gjerë.

U bë pjesë e ekipeve të specializuara për kërkime bërthamore europiane. Ishte një prej vlerësuesve dhe paravlerësuesve të konkursit të përvitshëm për çmimin Nobel në fizikë.

U ftua të bashkëpunonte dhe bashkëpunoi me agjencitë kërkimore të specializuara ngushtë nga Zvicra në Skoci.

Njihet si propozues i një formulimi të ri, që sot citohet me emrin Boriçi-Krojc. Studimet e tij janë pika reference brenda dhe jashtë vendit.

Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020. Bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.

Ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.

Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Profesor Artan Boriçi ka punuar mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Univresitetit të Tiranës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor.

Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.

Studentët propozues shprehiun besimin se Presidenca do ta vlerësojë profesor Boriçin, “si një shenjë e mirënjohjes së shtetit shqiptar për punën, angazhimin dhe kontributin e tij, si një shembull për edukimin dhe frymëzimin e gjeneratave në të gjitha nivelet mësimore e studimore./gazetatema

ObserverKult


Lexo edhe:

STUDENTËT E DHJETORIT: REBELËT QË VENDIT IU DESHËN KAQ FORT!

Nata e gjatë e 8 dhjetorit 1990, bashkoi rreth 300 studentë, të cilët nisën atë që, më vonë, mori emrin “Lëvizja Studentore e 90-ës”.

Studentët, të organizuar marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult