Sueton Zhugri: Kam të njëjtët sy të trishtuar të nënës sime…

nesër Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit që të shkosh të ujisësh fotografinë dhe lulet në verë, (mos u merr erë, është shumë herët)

Kam të njëjtët sy të trishtuar të nënës sime
të njëjtët lot të ëmbël e të lodhur
që bulëzojnë papritur.
Rrudhat na degëzohen ndryshe,
mendimet na mpleksen gjithnjë keq
si nyje drurësh,
e heshtjet na dorëzohen me kapitullim
pragjeve të buzëve.

Edhe në telefon
kemi filluar
rënkimet t’i ngulim njësoj,
si ca kapëse rrobesh të harruara diku në telat e ndjesive të shkuara.

Muaj kanë kaluar pa prekjen e duarve të saj
e këto të miat gjithëherë sikur dridhen botëve të prekjeve të huaja.

Era shkërmoq çaste
si kashtën e tharë të vetmisë
hapat e largimit shtypin
drejt hyrjeve të aeroporteve…

Kam të njëjtët sy të trishtuar të nënës sime
që sido e kudo
vetëm e vetëm
më buzëqeshin.